Ekonomi

OEMVP me strategji për zhvillim ekonomik të vendit

18.03.2014 19:01

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perendimore, sot përpara përfaqësuesve të politikës, atyre të shkencës dhe përfaqësuesve të biznesit...

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perendimore, sot përpara përfaqësuesve të politikës, atyre të shkencës dhe përfaqësuesve të biznesit, ka ofruar strategjinë për zhvillimin ekonomik të vendit gjatë katër viteve të ardhshme, duke përfshirë në një vend bashkë komponentin akademik me atë të politikës dhe biznesit, me qëllim hartimin e një strategjie për zhvillim sa më të fuqishëm ekonomik. 
 
“Sot do të thyhen edhe disa nga tabutë e shumta, të cilat i etiketohen kërkesave tona në aspektin nacional, sepse kur themi Maqedonia Veri-Perëndimore, shpesh në veshët e atyre që janë jug-perëndimor, apo jug-lindor, apo të lindjes, si territor në Maqedoni ju duket sikur po kërkojmë diçka për shqiptarët, vet struktura etnike e Maqedonisë veri-perëndimore nuk është pastër etnike, por është diçka që simbolizon spektrin dhe strukturën etnike të të gjithë vendit”, deklaroi kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perendimore, Menderez Kuci.
 
Zëv. kryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, vlerësoi se trekëndëshi biznesi shkenca dhe politika, do të mundësojnë zhvillimin e një ekonomie më të mirë në vendin tonë gjatë katër viteve të ardhshme, mendim të njëjtë me Besimin ndanë edhe profesori universitar, Nasir Selimi.
 
“Ajo që sot këtu prezantuam nga OEMVP-ja, është platformë e kësaj ode për katërvjeçarin e ardhshëm, që për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme si subjekt politik,  kur jemi në fazë të përgatitjes të konsultimeve lidhur me platformën tonë politike për mandatin e ardhshëm katërvjeçar në këto zgjedhje parlamentare. Ashtu siç deri më tani, ne kemi vlerësuar që program apo platforma politike është një dokument mjaftë i rëndësishëm dhe kërkon diskutime dhe konsulenca në aspekt profesional, si brenda strukturave partiake, ashtu edhe jashtë, me ekspertiza me universitetet dhe sektorët e biznesit”, tha zëv. kryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi.
 
“Në këtë takim, u trajtuan çështje të rëndësishme të ekonomisë, duke filluar nga shfrytëzimi i resurseve në këtë pjesë të vendit tonë, mandej u trajtuan mjaft tema, kërshëri zgjoi edhe çështja e papunësisë, që do të thotë se si në të ardhmen ky numër i të papunëve të zvogëlohet”, u shpreh profesor-doktori në UEJL, Nasir Selimi.
 
Në tryezën e rrumbullakët, trajtim  patën edhe nxitja e zhvillimit të biznesit të vogël dhe të mesëm, ku për shumë vende tjera paraqet faqen kurrizore të zhvillimit të ekonomisë të vendeve. (Miftar Emini, TVM2)