Këshilli opozitar, nesër protesta në Shkup

08.05.2016 15:51

Këshilli Opozitar, ka ftuar për pjesmarrje në protestën e nesërme me moton “DITA D: Drejtësi, Dinjitet, Demokraci” e cila mbahet në Shkup...

Protesta organiyohet në Ditën e Evropës, por edhe në ditën kur kujtohet ngjarja e hidhur e vitit të kaluar në Kumanovë, theksuan nga këshilli organizativ.

“Meqë zëri shqiptar ka mbetur i papërfaqësuar, sepse interesin tonë nuk e mbron askush më, neve nuk na ka mbetur asnjë shteg tjetër, pos të protestojmë dhe të deklarohemi se – përkundër asaj se çifti VMRO-BDI ka bërë shkarje nga Europa – shqiptarët nuk shohin asnjë rrugë tjetër, pos Europës. Kjo protestë duhet ta ngrejë zërin edhe kundër të gjithë atyre që kanë lejuar, kanë bërë ose kanë inskenuar procese të montuara politike, për shkak të të cilave sot po kalben burgjeve dhjetëra shqiptarë të pafajshëm. Nëse nuk reagojmë, ata janë në gjendje t’i përsërisin ata skenarë. Prandaj duhet të reagojmë dhe të protestojmë” – tha Rufat Alili nga Këshilli Organizativ i Protestës.

Protesta është mbështetur nga partitë jashtëparlamentare shqiptare,organizata joqeveritare dhe intelektualë shqiptar theksuan organizatorët, sipas të cilëve nuk i është bërë ftesë për pjesmarrje PDSH-së pasi ajo nuk konsderohet si parti opozitare.

“Ne nuk e  konsiderojmë se PDSH mund të llogaritet në bllokun e partive opozitare shqiptare, pasiqë në mënyrë të barabartë dhe njejt me BDI-në janë fajtore për këtë që u ka ndodhur shqiptarëve në qeverisjen e tyre” – tha Arianit Hoxha nga Këshilli Opozitar.

Marshi protestues do të niset nga parku i Çairit në Shkup në orën 17.30 dhe para orës 18.30 do të ndalojë para Qeverisë, njoftojnë organizatorët sipas të cilëve protesta nuk është koordinuar me Revulucionin laraman që mban protesta antiqeveritare prej disa ditësh. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)