Afganistan, aksident trafiku, 73 të vdekur 53 të lënduar
Dy autobusë dhe një autobot me karburant u përplasën në një autostradë në Afganistan, duke shkaktuar 73 të vdekur dhe 52 të tjerë të plagosur...

Të plagosurit janë shpërndarë në spitalet e provincës Gazni, ku dhe ndodhi aksidenti për tu dhënë ndihmë mjeksore.
Tri mjetet e përfshira në aksident morën flakë në rrugën që lidh kryeqytetin Kabul me qytetin jugor të Kandaharit.
Në fillim, mediet raportuan për mundësinë e një sulmi terrorist, por këto zëra u hodhën poshtë nga autoritetet, që thanë se bëhet fjalë për një aksident trafiku. Aksidentet janë mjaft të shpeshta në Afganistan, ku rrugët janë në gjendje shumë të rëndë dhe rregullat e qarkullimit nuk respektohen.
Policia lokale tha se aksidenti ndodhi si pasojë e drejtimit të gabuar të mjetit. Policia theksoi gjithashtu se, pa ndërhyrjen e banorëve të zonës, që nxituan të shpëtojnë të mbijetuarit dhe t’i nxjerrin ata nga autobusët, bilanci makabër do të kishte qenë shumë më i lartë.
Megjithatë, numri i viktimave mund të rritet pasi një pjesë e të plagosurve janë në gjendje të rëndë shëndetësore. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
