Lillard shkëlqen, Portland mposht Golden State

08.05.2016 18:53

Stephen Curry vijon ende të mos luajë për skuadrën kampione te Golden State dhe ai që i ka rrëmbyer skenën MVP-së është Damien Lillard, që dje realizoi 40 pikë në fitoren e Portland, 120-108 ndaj Warriors...

Një mbrëmje magjike për Lillard, që ishte një lider i vërtetë në fushë për Portland, që para publikut të tij nuk zhgënjeu. Sukses që rihap kualifikimin, pasi tani Golden State udhëheq 2-1 ndaj Portland. Për vendasit dje u dalluan edhe Aminu me 23 pikë e 10 rebaund si dhe McCollum, që realizoi 22 pikë.

Në kahun tjetër, Green e mbylli ndeshjen me 37 pikë e Thompson me 35, por që s’mjaftuan për të evituar humbjen. Edhe takimi i katërt do të luhet në fushën e Portland.

Në Konferencën e Lindjes, momente të vështira për skuadrën e Miami, që dje u mund 95-91 nga Toronto në gjysmëfinalen e tretë.

Ekipi kanadez udhëheq 2-1 serinë e ndeshjeve dhe do të luajë në fushën e tij edhe sfidën e radhës. Një fitore me përmbysje e ekipit të Torontos, që në periodën e katërt bëri diferencën në fushë, falë 33 pikëve të Lowry, më i miri në fushë për kanadezët.

Mirë u paraqit edhe DeRozan me 19 pikë, ndërsa për Miami nuk mjaftuan 38 pikët e veteranit Wade për të evituar humbjen. Mungesa e Chris Bosh ndihet shumë te skuadra nga Florida (Dragic dje realizoi vetëm 12 pikë), që rrezikon eliminimin në gjysmëfinalet e play off-it.