Maqedoni
Diaspora prej sot mund t’i dorëzojë fletëparaqitjet
18.03.2014 19:08
Mërgimtarët me fillim nga dita e sotme, do të mund t’i dorëzojnë fletëparaqitjet e tyre në përfaqësitë konsulare-diplomatike...

Mërgimtarët me fillim nga dita e sotme, do të mund t’i dorëzojnë fletëparaqitjet e tyre në përfaqësitë konsulare-diplomatike, me qëllim që të fitojnë të drejtën për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Qytetarët që jetojnë në diasporë, në listën e votuesve mund të regjistrohen deri në fund të muajit mars. Për t’u regjistruar në listën e votuesve, qytetarët duhet të plotësojnë një fletëparaqitje për votim, të cilën mund ta marrin në përfaqësitë diplomatike-konsullore, apo në faqen e internetit të KSHZ-së, të dorëzojnë një kopje të pasaportës së tyre biometrike të Maqedonisë dhe një dokument që dëshmon lejen e qëndrimit në vendin përkatës, sikurse vizën, kartën e gjelbër, apo kopje të pasaportës së huaj, nëse posedojnë.
Këto dokumente duhet të dorëzohen në përfaqësitë diplomatike, apo përmes faqes së internetit të KSHZ-së.
Për votim në zgjedhjet presidenciale, janë regjistruar 8311 shtetas të Maqedonisë që jetojnë në diasporë. Ndërkaq për zgjedhjet parlamentare, diaspora do të zgjedh 3 deputetë nga tre njësitë zgjedhore, në SHBA, Evropë dhe Australi.
Përfaqësues të lartë të BDI-së, të kryesuar nga Izet Mexhiti dhe Fatmir Dehari, vazhdojnë të vizitojnë qytete të ndryshme të diasporës, për të sensibilizuar shqiptarët nga Maqedonia, të votojnë për kandidatët e tyre në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. BDI synon të paktën 2 nga 3 deputetët e diasporës, me qëllim që mërgimtarët, të cilët ndihmojnë buxhetin e shtetit, të kenë përfaqësuesit e tyre në Kuvend. (Flutura Latifi, TVM2)
