Botë

Alberta, fillojnë shirat, reduktohet fuqia e zjarrit

09.05.2016 15:22

Ulja e temperaturave, shirat e lehtë dhe ndryshimi i drejtimit të erës ndihmuan në reduktimin e zjarrit, që ka përfshirë rajonin e Albertës në Kanada...

Gjithsesi, dëmet janë shkaktuar tashmë dhe zjarri mund të hyjë në histori, si katastrofa më e rëndë që ka prekur këtë shtet.

Zjarri, që digjet prej një jave, u përhap më ngadalë nga ç’parashikohej gjatë fundjavës.

Gati një e pesta e shtëpive janë shkatërruar në qytetin Fort McMurray, i njohur si vend ranor naftëmbajtës, dhe mund të duhen vite të tëra përpara se qyteti t’i rikthehet normalitetit.

Më shumë se 100 mijë banorë braktisën banesat e tyre, si pjesë e urdhrit për evakuim masiv.

Edhe pse pjesa më e madhe e qytetit mbetet e paprekur, për banorët është ende e rrezikshme të kthehen në shtëpi.

Zjarri është drejtuar tani në  lindje, ku nuk ka zona të banuara, por ai ende kërcënon të kalojë nëpër Saskatchevanin fqinj.

Nuk ka pasur të vdekur apo të plagosur nga zjarri, por dy persona humbën jetën në aksidente rrugore gjatë evakuimit masiv.

Kjo pritet të jetë katastrofa më e kushtueshme natyrore në historinë e Kanadasë, teksa kostot e sigurimeve pritet të prekin miliarda dollarë.