Maqedoni
Ministrja Elezi hapi Kongresin rajonal në Podgoricë
09.05.2016 15:40
Ministrja e Vetëqeverisjes Lokale, Shiret Elezi, mori pjesë në Kongresin rajonal që u mbajt në Podgoricë të Malit të Zi...
Ministrja e Vetëqeverisjes Lokale, Shiret Elezi, mori pjesë në Kongresin rajonal që u mbajt në Podgoricë të Malit të Zi në temë “Mjedis i favorshëm afarist”, ku u bë edhe shpallja e komunave më të mira për investime në rajon.
Para ministrave dhe përfaqësuesve të vendeve të rajonit, përfaqësuesve të Bashkësisë ndërkombëtare dhe Bashkësisë së biznesit, ministrja Elezi foli për procesin e decentralizimit në Republikën e Maqedonisë, për politikën e zhvillimit të barabartë regjional dhe për programin qeveritar për zhvillimin e komunave. Ajo falënderoi organizatat ndërkombëtare në Maqedoni dhe theksoi se sukseset e arritura deri tani janë suksese të përbashkëta të realizuara me një bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe në kontinuitet.
“Procesi i decentralizimit është një histori suksesi, me fillim dramatik, për shkak të shpejtësisë dhe kompleksitetit të reformës, e cila në kontinuitet garanton tejkalimin e sfidave hap pas hapi. Kjo do të thotë zbatim të reformës në mënyrë të planifikuar dhe të programuar.”- theksoi ministrja, Shiret Elezi.
“Programi i fundit për zhvillim lokal dhe decentralizim, i miratuar nga ana e Qeverisë së RM-së për periudhën 2015-2020, ka për qëllim që theksi prioritar të vendoset në zhvillimin e komunave. Qëllimi është që të krijohen njësi të zhvilluara të vetadministrimit lokal, të orientuara nga qëndrueshmëria ekonomike e tyre dhe të afta për zhvillimin e rajonit në të cilin veprojnë. Për këtë qëllim janë definuar prioritete të caktuara të parapara në planin e hartuar aksionar.”- tha Elezi.
Ajo mes tjerash tha se “me qëllim të tejkalimit të dispariteteve ndërmjet komunave dhe regjioneve planore, qeveria zbaton politikë të zhvillimit të barabartë regjional. Për këtë qëllim janë formuar tetë regjione planore, ku funksionojnë po aq qendra për zhvillim, ndërsa në tri prej tyre janë krijuar rrjeta për zhvillim gjithëpërfshirës si model inovativ për menaxhim ndërmjet sektorit publik, të biznesit dhe sektorit qytetar. Qëllimi është që të vërtetohen prioritetet zhvillimore të regjioneve dhe komunave si dhe planifikim të projekteve dhe implementimin e tyre”.
Lidhur me certifikimin e disa komunave nga Republika e Maqedonisë që i përmbushin kriteret për veprim afarist gjithëpërfshirës, ministrja, Shiret Elezi, nënvizoi se “ata kanë vizion të qartë dhe punojnë për forcimin e kapaciteteve administrative si dhe në ngritjen e nivelit të punës transparente dhe llogaridhënëse”.
Në Kongres morën pjesë edhe përfaqësues të Bashkësisë së njësive për vetëqeverisje lokale (BNJVL), ndërsa certifikata iu ndanë komunave më të mira, mes të cilave janë edhe komunat: Shtip, Bogdanci, Gazi Babë dhe Qyteti i Shkupit.
Në fund të paraqitjes, ministrja Elezi falënderoi organizatat ndërkombëtare, para së gjithash Shoqatën gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar, Agjencinë zvicerane për zhvillim dhe UNDP-në për përkrahjen që ia ofrojnë Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale dhe Republikës së Maqedonisë për forcimin e kapaciteteve dhe krijimin e kushteve për implementimin e politikave për zhvillim lokal dhe regjional.
