Maqedoni

Dita e Evropës, Ramadani: Nuk arritëm të mësojmë nga BE; Ruzhin: MO, korniza evropiane e bashkëjetesës

09.05.2016 16:17

9 Maji, Dita e Evropës, është përkujtimi i ditës kur dy vende në armiqësi të thellë mes tyre, Gjermania dhe Franca...

9 Maji, Dita e Evropës, është përkujtimi i ditës kur dy vende në armiqësi të thellë mes tyre, Gjermania dhe Franca, vendosën t’i harrojnë mëritë e vjetra e të krijojnë fillimisht një bashkim ekonomik, që më pas do të kthehej në një bashkim mjaft të rëndësishëm politik në të mirë të qytetarëve.
 
“Ky është mesazhi i asaj që tashmë është Bashkimi Evropian, një organizëm i fuqishëm që përkujdeset për mirëqenien e qytetarëve të tij dhe mbarë botës.  Një model i tillë mund të ndiqet edhe nga aktorët politik brendashtetëror të Maqedonisë, duke krijuar koncept të paqes dhe pajtueshmërisë politike.”- theksoi analisti politik, Ismet Ramadani.
 
“Nëse e bëjmë këtë krahasim, në Maqedoni fatkeqësisht nuk arritëm të kemi shoqëri kohezive në raportet njerëzore ndëretnike, për t’i fituar ato standarde evropiane për të mirën e qytetarëve, për t’i gëzuar vetë dhe kuptohet pastaj të jemi pjesë integrale e BE-së. Sot më 9 Maj nuk jemi ata që mund t’i gëzohemi ndonjë përparimi në këtë drejtim, por përkundrazi, le të jetë 9 Maji ditë që t’i kthjellë politikanët, t’a vejnë gishtin në kokë dhe të bëjnë politikë për vullnetin e qytetarëve.”- deklaroi analisti politik, Ismet Ramadani.
 
I të njëjtit mendim është edhe profesori universitar, Nano Ruzhin. Ai madje shton se respektimi i Marrëveshjes së Ohrit është një kornizë evropiane që garanton bashkëjetesë mes qytetarëve dhe demokraci të mirëfilltë.
 
“Marrëveshja e Ohrit është një kornizë evropiane për jetesë të përbashkët. Çdo mosrespektim i Marrëveshjes së Ohrit është në fakt mosrespektim i vlerave evropiane. Mendoj se mund të jetohet  në mënyrë të suksesshme në një Maqedoni stabile nën frymën e Marrëveshjes së Ohrit, shoqërisë multietnike, respektimit të të drejtave të njeriut, tolerancës, sundimit të së drejtës, si dhe respektimit të çdo etniteti, kulture dhe tradite.”- tha profesori universitar, Nano Ruzhin.
 
Momentalisht në Maqedoni po zhvillohet një politikë që nuk përfshin vullnetin e qytetarëve, e cila në çdo sondazh flet për integrim në BE, ndërkaq një politikë e tillë destinohet për t’u dështuar, theksojnë analistët.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU