Maqedoni

Rasti “Sopoti”, gjykatësi e quan të vlefshme dëshminë e Bajramit

09.05.2016 16:39

Gjykatësi ka vendosur t’a quaj të vlefshme dëshminë e Ramadan Bajramit në rastin “Sopoti”...

Gjykatësi ka vendosur t’a quaj të vlefshme dëshminë e Ramadan Bajramit në rastin “Sopoti”, edhe pse ky i fundit tashmë shumë herë e ka vërtetuar se e ka dhënë nën trysni dhe dëshmia nuk është e vlefshme.
 
Avokati, Vullnet Paçuku, e quan joligjor një vendim të tillë. Të akuzuarit kanë besim vetëm tek Prokuroria Speciale, pasi nëse Gjykata e shpall si të vlefshme dëshminë e Ramadan Bajramit, të akuzuarit rrezikojnë të kthehen në burg. 
 
Për rastin “Sopoti” u dënuan me 156 vite burg 11 persona, pikërisht në bazë të dëshmisë së Bajramit, i cili ka ripërsëritur tashmë shumë herë se të njëjtën e ka dhënë  nën dhunë dhe presion.
 
“Ishte vendimi i gjykatës, i cili vendosi që dëshmia e Ramadan Bajramit të merret në shqyrtim si dëshmi, pastaj në vendimin kryesor edhe një herë do të bëhet analiza e kësaj dëshmie. Unë këtë vendim nuk e llogaris si vendim të drejtë dhe ligjor.”- deklaroi avokati mbrojtës, Vullnet Paçuku.
 
“Vendimi i gjykatës për dëshminë e Ramadan Bajramit është vendim i padrejtë, se e dinë haptazi se Ramadan Bajrami e ka dhënë këtë me dhunë, Ramadan Bajrami në gjykatë i ka deklaruar disa herë të njëjtat fjalë sa herë që e ka thirrur gjykata.”- tha i akuzuari për rastin “Sopoti”, Zenel Klaiqi.
 
“Ne kërkojmë që lëndën t’a merr sa më shpejtë Prokuroria Speciale dhe të shqyrtohet në bazë të fakteve, ne asgjë nuk kërkojmë, as më shumë as më pak, vetëm që të shytohet në bazë të fakteve.”- theksoi i akuzuari për rastin “Sopoti”, Samet Lutfiu.