Maqedoni

OEM: Po vërehen pasojat e krizës politike

09.05.2016 16:51

Kriza aktuale më së tepërmi i ka prekur kompanitë nga industria e përpunimit, e metalit dhe industria elektronike...

Shumë partnerë të huaj të cilët kanë pasur në plan të udhëtojnë në vend në këtë periudhë, kanë anuluar takimet e tyre, thonë nga OEM. Sipas tyre, kjo situatë në të ardhmen do të ndikojë negativisht në rritjen e kapaciteteve, rritjen e prodhimit, punësimit dhe këmbimit me vendet e huaja.
 
Drejtoresha e Odës Afariste të Maqedonisë, Biljana Peeva, informon se gjithashtu ka anulime të vizitave të investitorëve. 
 
“Ajo çka është më shqetësuese tek kompanitë janë paralajmërimet për anulimet e mundshme të vizitave të partnerëve të huaj në vendin tonë për shkak të situatës. Partnerët e huaj konsiderojnë se kompanitë vendore nuk do të munden në kohë dhe me rregull të kryejnë dërgesën e prodhimeve dhe shërbimeve për atë edhe kanë vendosur të mos udhëtojnë në vend për t’i definuar hollësitë e kontratave.”- deklaroi drejtoresha në Odën Afariste të Maqedonisë, Peeva Gjuriq.
 
Sipas saj, sektorët më të rrezikuar për anulimin e marrëveshjeve për bashkëpunim janë në industrinë farmaceutike, si dhe në bujqësi dhe në industrinë e ushqimit. Sektori i ndërtimit tani më nuk është i rrezikuar, si dhe konsiderohet si një ndër bartësit kryesorë të aktiviteteve afariste.
 
Kompanitë kanë shprehur edhe shqetësime nga funksionimi i disa institucioneve shtetërore të cilat janë të rëndësishme dhe ndikojnë në punën e subjekteve afariste.
 
GAZMEND KURTISHI