Maqedoni
LSDM: Qytetarët do t’a mësojnë të vërtetën; VMRO-DPMNE: LSDM po përdor rastin për konotacion politik; RDK: Të zbardhen ngjarjet e “Kumanovës”; PLD: Hetim të pavarur për rastin “Kumanova”
09.05.2016 17:28
Një vit pas ngjarjeve në “Lagjen e trimave” në Kumanovë, kanë reaguar partitë politike...

LSDM thotë se “qytetarët do t’a mësojnë të vërtetën për atë çfarë ndodhi një vit më parë në Kumanovë, ndërsa të involvuarit dhe fajtorët do të japin llogari”.
“Nikolla Gruevski dhe qeveria e tij do t’u japë llogari familjeve të policëve të vrarë, njerëzve, shtëpitë e të cilëve janë shkatërruar, qytetarëve të Kumanovës dhe Maqedonisë, se përse ndodhi ‘Kumanova’. Vepër e kujt është incidenti i tmerrshëm në ‘Lagjen e Trimave’ të Kumanovë? Pse qeveria e Gruevskit nuk e ka penguar grupin terrorist-kriminel, sepse opinioni ka dëgjuar se zyrtarët e saj të lartë kanë pasur informacione dhe, siç duket, edhe kanë kontaktuar me ta.”- thuhet në reagimin e LSDM-së.
Ndërkohë, në reagimin e VMRO-DMNE-së thuhet se qytetarët nuk presin asgjë më shumë nga LSDM-ja, e cila, sipas tyre, nuk mori guximin të shpreh respekt ndaj atyre që dolën në mbrojtje të Maqedonisë.
“Oliver Spasovski nuk mori pjesë në dekorimin e mbrojtësve të rënë. Manipulimet e turpshme të LSDM-së se ‘do të kuptohet e vërteta’ vazhdon edhe më tutje, ashtu siç LSDM-ja në mbrojtje të saj rregullisht përdor ngjarjet tragjike dhe fate njerëzish në konotacion politik.”- thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Zbardhjen e të vërtetës për atë që ndodhi në “Lagjen e trimave” një vit më parë e ka kërkuar edhe Rilindja Demokratike Kombëtare.
“E vërteta patjetër duhet të dalë në shesh me të vetmin qëllim, që aktorët e vërtetë të involvuar të japin llogari para drejtësisë, me qëllim që kurrë mos të na përsëriten raste të kësaj natyre. Në të kundërtën, për vendin dhe për shqiptarët në përgjithësi 9 Maji asnjëherë nuk do të mund të trajtohet si datë e fitores dhe unitetit evropian. Vetëm e vërteta dhe drejtësia sadopak do të mund të ndryshojë domethënien e 9 Majit për Maqedoninë dhe për shqiptarët në përgjithësi.”- thuhet në reagimin e RDK-së.
Partia Liberal-demokrate, ndërkohë, kërkon hetim special dhe të pavarur për rastin, sepse, siç thonë, edhe krahas procesit gjyqësor, mbeten shumë pyetje të papërgjigjura.
"Pikërisht në këtë ditë, para një viti, kanë humbur jetën tetë policë në aksionin policor. Edhe pas një viti, familjet e të vdekurve, miqtë e tyre dhe gjithë opinioni i Maqedonisë akoma janë para dilemës si dhe për çka kanë humbur jetën, me skenar të kujt dhe me fajin e kujt."- theksoi zëdhënësi i PLD-së, Filip Janeviq.
Për shkak të kredibilitetit të prishur të institucioneve, që është vlerësuar edhe në raportin e Pribesë, PLD kërkon që Prokuroria Speciale të ndërmarrë kompetenca për këtë rast.
NAIM RAMADANI
