Maqedoni
Takimi i liderëve, mister. Vanhote, me ironi: “Qetësi, ne po bisedojmë”. Hajndël vjen në Shkup pas 11 majit
09.05.2016 17:41
Partitë politike, nënshkruese të Marrëveshjes politike të qershorit, vazhdojnë tentativat për të dakorduar një agjendë pune për një takim të mundshëm të liderëve...
Edhe pse partitë nuk ndajnë detaje me opinionin, ish ndërmjetësi i KE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës, Piter Vanhote, thotë se po zhvillohet komunikim ndërpartiak, por larg syve të opinionit.
“Qetësi, po bisedojmë. Por, mos u tregoni qytetarëve, sa më pak dinë aq më mirë.”– shkruan Piter Vanhote në profilin e tij në tuiter.
Dhe, përderisa partitë politike përpiqen për të pajtuar një takim liderësh, pritet që dyshes së ambasadorëve Bejli dhe Orav t’i bashkëngjitet edhe i dërguari i posaçëm i MPJ-së të Gjermanisë, Johanes Haindël.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Martin Shefer, ka njoftuar se Haindël do të vizitojë Shkupin sapo të përfundojë konsultimet e domosdoshme në Berlin, Uashington, Hagë dhe Athinë.
“Ambasadori Johanes Haindël me siguri gjatë mesit të javës do të qëndrojë në Berlin, që më pas të shkojë në Uashington, Hagë dhe Athinë për konsultim, e më pas do të vizitojë Shkupin. Ai do të punojë bashkë me KE-në, ShBA-të dhe të gjithë të tjerët që janë të interesuar për zbutjen e situatës së brendshme politike në Maqedoni.”- thotë zëdhënësi i MPJ-së të Gjermanisë, Martin Shefer.
Njoftimi i Sheferit lë të kuptohet se vizita e ambasadorit, Johanes Haindël, do të ndodh pas datës 11 maj, përkatësisht pas afatit të fundit kur partitë politike duhet të dorëzojnë listat me kandidatët për deputetë në Kuvendin e RM-së.
Ndryshe, tre nga katër partitë nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës nuk dorëzuan listat me kandidatë për anëtarë të këshillave zgjedhorë. Një gjë të tillë e bëri vetëm VMRO-DPMNE.
SHPËTIM NUREDINI
