Maqedoni

Një vit nga ngjarjet në Kumanovë, Sulejmani: Nuk ka krim pa gjurmë, po duhen gjetur; Raufi: Zbardhja e rastit do të zgjasë

09.05.2016 18:13

Një vit pas ndodhive në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, nuk ka të dhëna se çka saktësisht ka ndodhur atje...

Detaje mbi ngjarjet e 9 dhe 10 majit të 2015 do të mbeten të mbyllura për publikun.
 
Profesori universitar, Bashkim Sulejmani, thotë se për momentin nuk ka kapacitet për hulumtim të detajuar të rastit, pasi që gjyqësori është i politizuar.
 
Sipas tij, në shumicën e rasteve në të cilat u përfol se janë të montuara, gjyqësori shumë më shpejt tenton të mbyllë se sa të zbardh të vërtetën. 
 
“Kur institucionet nuk dalin zyrtarisht me një qëndrim të përbashkët dhe të prerë, atëherë në hapësirë dhe në opinion lindin më shumë dilema dhe të njëjtat dilema interpretohen në forma të ndryshme. Ne sot kemi një situatë njëvjeçare me të cilën më shumë ka përfolje të individëve dhe grupeve, por edhe keqpërdorime në aspekt politik. Tani ky rast më shumë ka marrë karakter politik se sa juridik dhe zgjidhja e saj është akoma më e vështirë. Nuk ka krim pa gjurmë, por gjurmët bëhen më të vështira kur marrin karakter publik.”- deklaroi profesori universitar, Bashkim Sulejmani.
 
Sipas të dhënave nga avokatët mbrojtës, procesi gjyqësor për rastin e Kumanovës  do të zgjasë shumë, pasi që lënda “Vetëtima”, ku janë të akuzuar nëntë persona, se i kanë dhënë përkrahje logjistike “Grupit të Kumanovës”, do të bashkohen në një lëndë. Pra, gjithçka do të nisë nga fillimi, thotë avokati, Naser Raufi.  
 
“Rasti i Kumanovës do të zgjasë shumë, pasi tashmë na lajmëruan që ka vendim se do të bashkëngjitet rasti i personave që kanë qenë logjistikë. Këto dy lëndët do të bashkohen me një lëndë, që do të thotë se krejt seanca për ‘Lagjen e trimave’ do të fillojë nga fillimi me fjalë hyrëse. Që do të thotë se objektivisht do të jetë një interval kohor shumë i gjatë që të vijmë deri te një aktgjykim të gradës së parë. Minimum do të jetë 1 vit, që d.m.th. këtu nuk do e kemi problem kohën që të involvohet Prokuroria Speciale.”- tha avokati, Naser Raufi.
 
Raufi shprehet se Prokuroria nuk ka asnjë dëshmi se 29 të akuzuarit kanë kryer veprën penale dhe shpreson që këtë lëndë t’a merr në kompetencë Prokuroria Speciale. 
 
Nga konflikti i armatosur në “Lagjen e Trimave” mbetën të vrarë tetë policë, ndërkohë nga “Grupi i armatosur” humbën jetën 14 persona. Shumë shtëpi u shkatërruar gjatë aksionit që zgjati 16 orë. Shtëpitë tashmë janë rindërtuar, por tmerri i banorëve ato ditë maji nuk do të harrohet kurrë bashkë me dilemën se përse ndodhi “Kumanova”.
 
SANIJE DURAKU