“Fabrika e aferave”, Arsiq: Zbuloni kush i porositi dhe ku u përdorën
Ka vazhduar edhe sot gjykimi kundër Zahir Beqirit–Çaushit, të akuzuar për falsifikim të letërnjoftimeve të mjeteve të tjera identifikuese në rastin “Fabrika e aferave”...

Para gjykatësit sot dëshmoi gazetari, Lubisha Arsiq, i cili zbardhi fillimisht për opinionin aferën me letërnjoftimet e falsifikuara.
Arsiq ka refuzuar gjithsesi të tregojë identitetin e personit që ia ka dhënë të dhënat për 105 letërnjoftimet e falsifikuara, duke u thirrur në mbrojtjen e burimeve, që është e drejtë e çdo gazetari.
Arsiq tha sot se është për t’u çuditur që media të caktuara edhe më tej pyeten se kush i ka falsifikuar letërnjoftimet, por askush nuk merret seriozisht me faktin se kush i ka porositur dhe për çfarë kanë shërbyer ato.
Sot dëshmuan edhe 15 dëshmitarë të tjerë, të dhënat e të cilëve gjenden në letërnjoftimet e falsifikuara. Të gjithë deklaruan se nuk kishin dijeni për rastin e askush nuk i ka pyetur para se t’ua keqpërdornin të dhënat.
Edhe avokatët mbrojtës thonë se sot u vërtetua qartë se të dhënat e tyre janë keqpërdorur, në disa raste madje edhe si jo të plota, por është bërë kombinim i të dhënave.
