Botë

Arrestohet për mashtrim në Zvicër manjati i naftës Rezart Taçi

10.05.2016 09:22

Ish-manjati i naftës në Shqipëri Rezart Taçi është arrestuar në Zvicër...

Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga shkresat, që avokati mbrojtës ka dorëzuar në Gjykatën e Tiranës, në procesin penal ndaj Taçit për akuzën e "mospagimit të taksave dhe tatimeve".
 
Burimet thonë se avokati, ka dorëzuar në Gjykatë aktin e përfaqësimit, që Rezart Taçi i ka dhënë noterit nga ambientet e një paraburgimi në Gjenevë të Zvicrës. Nga ky akt-përfaqësimi, ish-manjati i naftës kërkon të përfaqësohet dhe mbrohet në Shqipëri nga avokati Fatmir Brraka.
 
Nuk jepen shumë detaje për shkakun e arrestimit apo kohën e prangosjes. Por burimet nga Interpol Tirana thanë se ndalimi i Taçit është bërë me urdhër të Prokurorisë Publike të kantonit të Gjenevës në Zvicër, për akuzën e "mashtrimit", "Falsifikimit të dokumenteve" dhe "Falsifikimi i vulave dhe i stampave ose i formularëve".
 
Ky hetim, ka nisur thonë burimet pas kallëzimit të dy kompanive, një e regjistruar në shtetin Panamez me emrin "Wallis Trading INC" dhe ajo Holandeze me emrin "Trafigura Beheer Bv". Të cilët me kompaninë e Rezart Taçit kishin një marrëveshje tregtare të nënshkruar që në vitin 2009.  
 
Për llogari të këtij hetimi, burimet thonë, se më 5 maj 2014 në Shqipëri, autoritet zviceriane kanë kërkuar ndihmë nga Prokuroria e Përgjithshme, për kryerjen e disa veprimeve hetimore.
 
Mes tyre sekuestrimin e kontratave të kompanisë së Rezart Taçit, verifikimin e llogarive bankare të kompanive dhe personalet, disa veprime të tjera bankare dhe pyetjen me cilësinë e dëshmitarëve të 4 personave, mes tyre motrën e Rezart Taçit dhe nipin e tij.
 
Të gjitha këto veprimet hetimore, thonë burimet kanë përfunduar në Shqipëri dhe i janë dërguar autoriteteve të drejtësisë zviceriane, të cilët kanë arrestuar Taçin në një nga aeroportet e vendit.
 
Nga ana tjetër, në procesin gjyqësor në Tiranë, që treshja gjykuese e zhvilloi pa praninë e mediave, avokati i Rezart Taçit kërkoi që klienti i tij të gjykohet, në aplikim të gjykimit të shkurtuar, por duke mos pranuar akuzën e "mospagimit të taksave dhe detyrimeve tatimore".
 
Kërkesë kjo që u pranua nga Gjykata, duke i dhënë fjalën prokurorit të lexojë kërkesën për gjykim.
 
Më pas, seanca u shty për t'i lënë kohë prokurorit të çështjes të pregatisë konkluzionet përfundimtare ndaj të pandehurit Rezart Taçi, i cili nga mospagimi i taksave dhe detyrimeve tatimore me cilësinë e administratorit të ARMO-s për 4 vite, që dyshohet se i ka sjell shtetit shqiptar një dëm prej rreth 6 milionë eurosh.