Maqedoni

Mexhiti vizitë në ShBA, takon kongresistin republikan, Robert Aderholt

10.05.2016 12:01

Nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, po qëndron për vizitë në ShBA, me ç’rast në Uashington DC ka vizituar Dhomën e Përfaqësuesve dhe Kongresin Amerikan...

Me këtë rast, Mexhiti zhvilloi takime të rëndësishme edhe me autoritetet amerikane, me të cilët bisedoi për zhvillimet e fundit politike në Maqedoni, rajon dhe botë.

Në takimin me përfaqësuesin e kongresistëve republikanë, Robert Aderholt, Mexhiti e falënderoi për angazhimin korrekt dhe permanent të ShBA-ve në drejtim të zgjidhjes së problemeve të çështjes shqiptare në Ballkan.

Në shenjë mirënjohjeje, kryetari Mexhiti kongresistit Aderholt i dhuroi një plaketë me simbolin e paqes dhe humanizmit botëror, me figurën e shkupjanes dhe nobelistes shqiptare, Nënë Tereza.

Mexhiti në Uashington hapi ekspozitën me temë “Guximi qytetar në kohë të vështira”, e cila përmes 34 fotografive dhe dokumenteve autentike dëshmon historitë rreth shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në këtë aktivitet në ShBA mori pjesë edhe kryesuesi i delegacionit nga Maqedonia, drejtori i ITShKSh-së, Skender Asani, kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi, kryetarja e komunitetit hebraik në Maqedoni, Berta Romano, dhe personalitete tjera.