Maqedoni
Ramiz Rizaj: Mediat po spekulojnë, Begu u vra në luftime, nuk dyshojmë te Ahmeti
10.05.2016 12:31
Familjarët e Beg Rizajt, njërit prej të vrarëve në konfliktin e 9 dhe 10 majit në Kumanovë një vit më parë...

Familjarët e Beg Rizajt, njërit prej të vrarëve në konfliktin e 9 dhe 10 majit në Kumanovë një vit më parë, thonë se në trupin e tij nuk ka pasur shenja dhune, duke hedhur poshtë kështu dyshimet se Rizaj mund të jetë ekzekutuar pas dorëzimit.
“Flitet shumë se policia maqedonase e ka kapur të gjallë. T’u tregoj të vërtetën, ato janë veç manipulime, përfitime të shumë gazetarëve. Unë trupin e tij, jam personi i parë që e kam parë, aty nuk ka asnjë shenjë, as diçka që tregon se Begu është i lënduar, pos që është i vrarë. Këto çka fliten, çdo kush e ka për dëshirë të veten.”- deklaroi vëllai i Beg Rizajt, Ramiz Rizaj.
Ramiz Rizaj thotë se familja nuk e di ende nëse “Grupi i Kumanovës” është tradhtuar nga dikush, por hedh poshtë çdo dyshim se tradhtia mund të ketë ardhur nga shokët e tij, duke i quajtur spekulime mediatike edhe shkrimet se “Grupi i Kumanovës” u tradhtua nga kreu i BDI-së.
“Për asnjë shok të Begut nuk dyshoj se në ato dy ditë sa kanë luftuar që e ka tradhtuar Begun dhe vet të pasurohet. Ata kanë shkuar si vëllezër, kanë vdekur si vëllezër. Te familja ime është respekti dhe dëshira që ata të lirohen sa më parë. Ali Ahmeti ka qenë shumë i dashur dhe i afërt me Begun. Kanë qenë shokë shumë të mirë, asnjë dyshim nuk e kam e as nuk kam për ta pasur.”- tha vëllai i Beg Rizajt, Ramiz Rizaj.
Familja e Beg Rizajt, njësoj si familjet e të vrarëve dhe të arrestuarve të tjerë në ngjarjet e Kumanovës, pret që e vërteta të zbardhet plotësisht, por hedhin kategorikisht poshtë shkrimet se anëtarët e “Grupit të armatosur” kanë qenë njerëz të paguar.
Për ta, të gjithë pjesëmarrësit në luftimet e 9 dhe 10 majit janë njerëz që janë ngritur kundër padrejtësive që u bëhen shqiptarëve.
GYLTENE SINANI
