Dy të arrestuar në Itali, dyshohet se po përgatisnin sulme terroriste
Policia italiane ka ndaluar në qytetin Bari dy persona me kombësi afgane nën akuzën e terrorizmit ndërkombëtar...

Sipas mediave italiane, nga hetimet e kryera nga Drejtoria Rajonale e Antimafias ka rezultuar se të ndaluarit po planifikonin sulme në Itali dhe Angli, në qytetet Romë, Bari dhe Londër.
Ndërkohë, tre persona të tjerë, të akuzuar për terrorizëm dhe favorizim të emigracionit klandestin, janë shpallur në kërkim.
Sipas burimeve, të ndaluarit rezultojnë të jenë pjesë e një organizate mbështetëse të terrorizmit ndërkombëtar në Itali dhe vende të tjera si Francë e Belgjikë.
Organizata në fjalë ishte e tipit kriminal, e mirëstrukturuar dhe shërbente si një rrjet për mbështetje logjistike në favor të grupeve të njohura terroriste, si ISIS apo Al Kaeda.
Personat e ndaluar, sipas hetuesve, u ofronin mbështetje individëve të gatshëm për të kryer sulme vetëvrasëse apo aksione ushtarake në vende të huaja.
Hetimet ndaj këtij grupi kanë filluar nga dhjetori i vitit të kaluar, kur karabinierët ndërhynë pas sinjalizimeve se individë të dyshimtë po filmonin aeroportin e Barit, me ç’rast në telefonat dhe kompjuterët e tyre policia gjeti materiale me të dhëna për armët dhe video me stërvitjet e militantëve.
GAZMEND KURTISHI
