Botë

Koreja e Veriut e feston me paradë përfundimin e Kongresit

10.05.2016 14:21

Fundin e Kongresit të parë në gati katër dekada të Partisë së Punëtorëve në pushtet, Koreja e Veriut e kremtoi me një miting masiv e një paradë në sheshin qendror të Penianit...

Kongresi çimentoi pozitat e udhëheqësit, Kim Jong-un, duke e ngritur në rolin e kreut të partisë.
 
Motra e tij, Kim Yo-jong, sipas medias shtetërore është zgjedhur në krye të Komitetit Qendror.
 
Në takim u miratua dhe politika kombëtare e forcimit të aftësive bërthamore të vendit komunist, krahas asaj të zhvillimit ekonomik.
 
Kim, që rrallëherë shfaqet në publik, është parë në tribunë duke përshëndetur me dorë turmën, e duke biseduar me zyrtarë të partisë dhe krerë ushtarakë.
 
Me mijëra vetë marshuan në shesh, duke valëvitur lule prej letre, tullumbace shumëngjyrëshe e flamujt e kuq të partisë.
 
Më shumë se 100 reporterëve të huaj u ishin dhënë viza për të mbuluar punimet e Kongresit, por në çeljen e tij shumë pak prej tyre u lejuan të hyjnë brenda shkurtimisht.
 
Kina i dërgoi një mesazh urimi udhëheqësit koreano-verior për pozicionin e tij tashmë të përforcuar, por nuk pati asnjë përfaqësues të saj në takim, çfarë u komentua nga analistët si shenjë e pakënaqësisë së Pekinit ndaj të dhënave të fundit se Koreja e Veriut po përgatitet për testin e saj të pestë bërthamor.
 
BELINDA KOKA-ADEMI