Maqedoni
Orav: Kriza në Maqedoni preku majën e Ajsbergut
10.05.2016 15:25
Kriza politike ka zgjatur tepër. Marrëveshja e Përzhinës më herët ishte shpresë për qytetarët e këtij vendi dhe për ndërkombëtarët...

Për fat të keq fjalët që e përshkruajnë më së miri vitin e kaluar janë obstruksionet, prolongimet dhe mosimplementimet për të cilat mund të thuhet se kanë arritur majën e Ajsbergut.
Kështu ka deklaruar sot euroambasadori, Aivo Orav, duke e quajtur Maqedoninë vend special.
“Muajin e kaluar edhe vet e pamë majën e Ajsbergut me miratimin e vendimit për abolim. Nuk ka kohë për të humbur. Vendime të rënda dhe serioze duhet të sillen sot, nesër nga ata që janë përgjegjës për situatën, kështu që së bashku do të shkojmë përpara. BE është këtu me ju për t’ju ndihmuar, ndërsa shpresojmë se kjo krizë do të lihet pas nesh dhe se do t’i fillojmë negociatat me ju kur ajo do të jetë e mundur.”- deklaroi euroambasadori, Aivo Orav.
Kriza politike mund të zgjidhet nga politikanët vendor me ndihmën ndërkombëtare, tha ambasadori i Holandës, Walter Plomp.
“Shpresoj se politikanët do të gjejnë urtësi dhe guxim të arrijnë zgjidhje dhe shpresoj se përpjekjet ndërkombëtare do të kontribuojnë në gjetjen e zgjidhjes.”- tha ambasadori i Holandës, Walter Plomp.
Është e vërtetë së vendi gjendet përpara një krize shumë komplekse, deklaroi zëvendëskryeministri, Arbër Ademi, i cili përgjegjësinë e adreson te politikanët. Vendi duhet sa më parë t’i kthehet rrugës eurointegruese, thotë Ademi.
“Përgjegjësia jonë si politikanë është që sa më parë të gjejmë dalje nga kjo krizë politike dhe t’i kthehemi rrugës eurointegruese. Nuk ka alternativë tjetër evropiane përveç mbajtjes së zgjedhjeve kredibile dhe rezultateve zgjedhore të pranuara si dhe implementim i rreptë i mëtutjeshëm i reformave prioritare, me çka do të sigurojmë mbajtjen e rekomandimit të kushtëzuar të KE-së.”- theksoi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Arbër Ademi.
Këto komente u thanë në shënimin tradicional të mëngjesit të BE-së, ku morën pjesë ish udhëheqës të Sekretariatit për eurointegrime, politikanë, ambasadorë, diplomatë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
