Maqedoni
Anketa e Institutit "Pavel Shatev": VMRO me rejting më të lartë se LSDM; LSDM: "Pavel Shatev" filial i VMRO-së
10.05.2016 15:51
Një anketë telefonike e Institutit "Pavel Shatev", e realizuar prej 6 deri më 8 maj me 1.070 të anketuar...

Një anketë telefonike e Institutit "Pavel Shatev", e realizuar prej 6 deri më 8 maj me 1.070 të anketuar, lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, dhe partia e tij vazhdojnë të kenë rejting më të lartë se lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, dhe partia më e madhe opozitare maqedonase.
Në pyetjen: Në cilin politikan keni më shumë besim? Për Nikolla Gruevskin janë deklaruar 30,8 për qind e të anketuarve, ndërsa për Zoran Zaevin 11,4 për qind. Ndërsa në pyetjen se cila parti do të fitonte në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, 49,6 për qind e të anketuarve janë deklaruar për VMRO-DPMNE-në, ndërsa 20,2 për qind e të anketuarve për LSDM-në.
Sipas hulumtimit, në pyetjen se cili është mendimi juaj për liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, negativisht janë përgjigjur 58,1 për qind, ndërsa me mendim pozitiv janë 22,6 për qind e të anketuarve. Ndërsa në pyetjen e njëjtë për Nikolla Gruevskin, pozitivisht janë prononcuar 53,7 për qind e të anketuarve, ndërsa negativisht 31,4 për qind.
Sa i përket mendimit të personave të anketuar për presidentin e shtetit, Gjorge Ivanov, 54,3 për qind nga të anketuarit kanë deklaruar se kanë mendim pozitiv, ndërsa mendim negativ kanë 30¬,4 për qind.
Gjithsej 88 për qind nga të anketuarit janë përgjigjur “jo” në pyetjen: nëse dikush nga ju, të afërmit tuaj apo nga rrethi juaj ka ndjerë presion në ditën e zgjedhjeve? 12 për qind janë përgjigjur me “nuk e di” apo “nuk ka përgjigje”, thuhet në anketën e Institutit "Pavel Shatev".
Sipas këtij Instituti, qëllimi i anketës është të njihet perceptimi i qytetarëve të cilët kryesisht votojnë për dy partitë më të mëdha në Maqedoni, përkatësisht për VMRO-DPMNE-në dhe LSDM-në. Në anketë janë përfshirë edhe bashkësitë etnike, përveç shqiptarëve, pasi siç thekson Instituti, ata kryesisht votojnë për partitë etnike shqiptare.
Por, lidhur me këtë anketë kanë reaguar nga LSDM, nga e cila kanë vlerësuar se Instituti "Pavel Shatev" është filial i VMRO-së dhe si e tillë "kurdis" rezultatet në gjoja anketat për rejtingun e dy partive më të mëdha në bllokun maqedonas. "Filiali partiak i VMRO-DPMNE-së, Instituti ‘Pavel Shatev’ sot vet konfirmoi se nuk zbaton kurrfarë hulumtime të mendimit publik."- thuhet në kumtesën e LSDM-së.
MERAL ISMAILI
