Botë

Sulm me thikë në Mynih të Gjermanisë, dy të vdekur, dy të plagosur

10.05.2016 16:47

Dy persona janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur nga sulmi me thikë i një personi në Mynih të Gjermanisë...

Autori sulmoi kalimtarë të rastësishëm pak përpara orës 05:00, me orën lokale, në stacionin Grafing, në lindje të qytetit.
 
Një nga viktimat humbi jetën në vendngjarje, ndërsa tjetri në spital. Agresori është ndaluar nga policia. Disa dëshmitarë kanë thënë se sulmuesi ka thirrur “Allahu akbar” para se të kryente sulmet, motivet e të cilit mbeten gjithsesi për t’u sqaruar.  
 
Kryetarja e Bashkisë së Grafingut, Angelika Obermayr, tha për një gazetë lokale se i dyshuari i arrestuar është një shtetas gjerman. 
 
"Policia po i kryen hetimet. Sulmuesi i dyshuar u arrestua. Të dhënat rreth identitetit të tij janë duke u kontrolluar. Ne për fat të keq kemi një viktimë që ka vdekur dhe një tjetër i cili pësoi dëmtime të rrezikshme për jetën. Dy viktima të tjera nuk kanë lëndime të rrezikshme për jetën. Ishte një sulm i tmerrshëm. Ne tani duhet të gjejmë sa më shumë informacione në lidhje me sulmuesit."- deklaroi ministri i Brendshëm, Bavarez Joachim Herrmann.
 
Një nga platformat e stacionit Grafing, ndërkohë, është izoluar nga policia dhe udhëtarët janë prekur nga vonesat.
 
Autoritetet e Gjermanisë tashmë disa muaj kanë paralajmëruar vazhdimisht se vendi mund të bjerë pre e një sulmi të mundshëm, teksa edhe masat e sigurisë janë rritur ndjeshëm.
 
Por, ende nuk është konfirmuar nëse sulmuesi ka lidhje me militantët e “Shtetit Islamik”, pasi bëhet fjalë për qytetar me origjinë gjermane. 
 
BELINDA KOKA-ADEMI