Maqedoni
Zaev: Nuk ka negociata,vetëm bisedime dypalëshe
10.05.2016 17:26
Negociata mes katër partive politike nuk ka. Por, ka bisedime dypalëshe mes subjekteve politike dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë...

Misterin e takimeve e zbardhi kreu i LSDM-së, Zoran Zaev. Sipas tij, problem kyç për të dalë nga kriza, në këtë moment, është se Nikolla Gruevski dhe pushteti nuk duan të heqin dorë nga abolimi.
Sipas tij, zgjedhje nuk do të ketë edhe nëse VMRO-DPMNE nesër i dorëzon listat me kandidatë për deputetë.
“Negociata, për momentin, nuk ka. Ka bisedime dypalëshe, ne me ndërkombëtarët dhe përfaqësuesit e partive të tjera politike me ndërkombëtarët. Kjo ndodh për shkak se, kemi thënë se negociata do të ketë atëherë kur do të anulohet abolimi dhe kur të mblidhet Kuvendi për t’u anuluar zgjedhjet deri në momentin e plotësimit të kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike. Nuk ka ndryshim nga kjo.”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Zaev zbardhi edhe alternativat që ofron LSDM për mbledhjen e Kuvendit.
“Pesë anëtarë duhet të dorëzojnë letër deri te Trajko Veljanovski, se nuk ka kushte për zgjedhje të rregullta, korrekte dhe demokratike, pasi nuk është pastruar Lista e zgjedhësve dhe për këtë shkak propozojnë ndryshime në disa nene të Kodit Zgjedhor, dhe ja nisma për të thirrur Kuvendin. Nëse KShZ nuk ekziston, nëse nuk ekziston shumica e KShZ-së, cila është zgjidhja?! Kuvendi duhet të mblidhet. Kështu që Kuvendi patjetër duhet të mblidhet”- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Edhe partitë jashtëparlamentare janë kundër zgjedhjeve më pesë qershor.
“Lëvizja BESA e ka deklaruar qëndrimin e saj se për neve nuk ka kushte të mjaftueshme që të kemi zgjedhje më pesë qershor, andaj ne nuk do të marrim pjesë në këso zgjedhje, të cilat vetëm e legjitimojnë vjedhjen dhe diktaturën.”- theksoi Zekirija Ibrahimi nga Lëvizja BESA.
“Nëse ndalemi vetëm në këto dy pika që janë problematike, pastrimi i Listës së Zgjedhësve dhe Ligji i mediave, nuk janë reformat e duhura dhe problemet do të riciklohen, dhe Maqedonia do të vazhdojë ngulfatjen”- u shpreh Agon Ferati nga LR PDSh.
“Problem i Listës së Zgjedhësve nuk është që tani, është shumë më herët. Dhe, subjektet politike nuk janë marrë me këtë çështje. Por, mirë që tani u hap kjo çështje dhe njëherë e përgjithmonë institucionet e këtij shteti duhet t’a pastrojnë Listën Zgjedhore”- theksoi Zulfi Adili nga UNITETI.
“Tani sërish vërehet shumë qartë se në Maqedoni, në asnjë variant nuk mund të flitet për asnjë datë për organizimin e zgjedhjeve, derisa në vend nuk zgjidhen çështjet kruciale.”- tha Vesel Memedi nga RDK.
Përfaqësuesit e më shumë partive politike ndanë qëndrimet rreth kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të caktuara për më pesë qershor në debatin e organizuar nga Shoqata Joqeveritare CIVIL.
Ftesës nuk i ishin përgjigjur tre nga katër partitë nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës, VMRO-DPMNE, BDI dhe PDSh.
SHPËTIM NUREDINI
