Maqedoni
KShZ: Nesër skadon afati për paraqitjen e kandidatëve
10.05.2016 17:36
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve po përballet me afatet dhe detyrimet ligjore për zbatimin e kalendarit zgjedhor...

Vetëm një ditë para skadimit të afatit, partitë politike akoma nuk i kanë dorëzuar listat me kandidatë për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 5 qershorit.
“Në zyrat e KShZ-së nuk ka dorëzuar asnjë parti politike apo koalicion listë të kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Afati mbaron nesër në orën 24 në mbrëmje. Do të presim të përfundojë afati dhe më pas të shohim se çka do të ndodh më pas.”- deklaroi Admir Shabani nga KShZ.
Për inspektimin publik, i cili është mbyllur mbrëmë, interesim kanë treguar 4716 qytetarë.
“Deri tani te zyrat rajonale të KShZ-së inspektimin publik e kanë kryer gjithsej 4716 persona, prej të cilëve 50 persona kanë kërkuar regjistrim në Listën Zgjedhore, ndërsa personat e autorizuar të KShZ-së nëpër zyrat rajonale gjithsej kanë sjellë 978 vendime për fshirjen të personit nga lista zgjedhore, gjithashtu kemi edhe 74 kërkesa për ndryshim të të dhënave në Listën Zgjedhore”- tha Admir Shabani nga KShZ.
Sipas KShZ-së, mundësinë për verifikimin e të dhënave nëpërmjet aplikacionit elektronik e kanë shfrytëzuar 7600 persona. Ndërkaq, mbrëmë ka skaduar edhe afati për paraqitjen e shtetasve të Maqedonisë që jetojnë përkohësisht jashtë vendit në përfaqësitë diplomatike-konsullore për të votuar. Deri tani janë paraqitur 6689 fletëparaqitje, të cilat KShZ akoma nuk i ka përpunuar të gjitha.
Midis tyre, ka fletëparaqitje që janë parashtruar më shumë herë dhe që nuk i plotësojnë kushtet për të qenë në regjistrin zgjedhor, njofton KShZ.
“Deri te KShZ gjithsej janë paraqitur 6689 fletëparaqitje, nga të cilat të përpunuara janë 4477 paraqitje. Prej këtyre fletëparaqitjeve deri më tani të përpunuara, ka fletëparaqitje të cilat i plotësojnë, ka edhe fletëparaqitje që shumëfishta, dublikate, ka edhe fletëparaqitje që nuk i plotësojnë kushtet për votim në diasporë dhe ato llogariten si të hedhura poshtë.”- theksoi Admir Shabani nga KShZ.
Në bazë të dispozitave të Kodit Zgjedhor, cenzusi për t’u zgjedhur një deputet në njësinë zgjedhore numër shtatë apo diasporë është 6500 vota të fituara, njoftojnë në KShZ.
NAIM RAMADANI
