Maqedoni
Këshilli opozitar: Protesta e djeshme ia arriti qëllimin
10.05.2016 18:03
Një ditë pas protestës së organizuar nga Këshilli opozitar, organizatorët thonë se protesta e djeshme...

Një ditë pas protestës së organizuar nga Këshilli opozitar, organizatorët thonë se protesta e djeshme ka arritur qëllimin për të treguar zërin opozitar, si dhe, sipas këtij Këshilli, në protestë kanë marrë pjesë rreth 30.000 njerëz, që kanë ardhur nga të gjitha anët e Maqedonisë.
Sipas tyre, protestuesit dje kanë delegjitimuar dy partitë shqiptare parlamentare, ndërsa kanë legjitimuar opozitën.
“Mesazhet paqësore të kësaj proteste përcollën edhe një herë qëndrimin e shqiptarëve të Maqedonisë se integrimi në BE është detyrim pa kompromis, se patjetër duhet të tërhiqen vendimet për faljen e kriminelëve, se duhet të vazhdojë me punë PPS dhe asaj t’i kalojnë edhe rastet e montuara ndaj shqiptarëve, si “Sopoti”, “Monstra” dhe “Lagjja e Trimave”, ndërsa protesta përcolli edhe një mesazh të rëndësishëm, që shqiptarët në bisedimet për zgjidhjen e krizës duhet të përfaqësohen nga ky zë opozitar.”- thuhet nga Këshilli opozitar.
Ndërsa të pyetur rreth asaj se pse në këtë protestë, e cila ishte e paralajmëruar si apartiake, ka marrë fjalë rasti vetëm kryetari i Lëvizjes BESA, nga Këshilli opozitar thonë se Lëvizja BESA është anëtare e këtij këshilli.
Kurse në lidhje me incidentin me kryetarin, Ziadin Sela, ata thanë se forcat e sigurisë vetëm kanë bërë punën e duhur.
Këshilli thotë se protesta ka vijuar në mënyrë të qetë dhe pa incidente, ndërsa falënderoi partitë opozitare që morën pjesë në protestë, OJQ-të, si dhe shqiptarët e ardhur nga Kosova dhe Shqipëria.
ERSAN PAJAZITI
