Maqedoni
Gjevgjeli, kapet kamioni me 69 migrantë ilegalë; Konfliktet- raporti: 40.8 mln njerëz të shpërngulur brenda vendeve
11.05.2016 14:05
Megjithëse prej shkurtit kufiri Maqedoni-Greqi është bllokuar për refugjatët dhe këta të fundit shfrytëzojnë rrugët ilegale për të shkuar drejt Gjermanisë...

Megjithëse prej shkurtit kufiri Maqedoni-Greqi është bllokuar për refugjatët dhe këta të fundit shfrytëzojnë rrugët ilegale për të shkuar drejt Gjermanisë, në Gjevgjeli është kapur një kamion me 69 migrantë ilegalë nga Siria, Iraku, Afganistani dhe Pakistani, të cilët shpresonin të kalojnë përmes kufijve të mbyllur ballkanikë në kërkim të azilit në ndonjë nga vendet e BE-së.
Kamioni me refugjatët e fshehur u kap në afërsi të kufirit mes Maqedonisë dhe Greqisë. Autoritetet po hetojnë për të zbuluar rrugën prej nga migrantët kanë hyrë ilegalisht në Maqedoni.
Aktualisht, në kampin në Idomeni gjendet 10 mijë refugjatë. Dje në kamp u shënua një përleshje e re mes dy grupeve në të cilën u përfshinë 250 refugjatë. Policia ndërhyri me gaz lotsjellës për të qetësuar situatën.
Një raport ndërkombëtar nga Qendra Monitoruese e Shpërnguljeve të Brendshme, me seli në Gjenevë, jep, ndërkohë, shifrën reale të personave të shpërngulur brenda vendeve të tyre për shkak të konflikteve apo dhunës.
Është një shifër rekod prej 40.8 milionë njerëz në 2015-n dhe ky ishte numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Sipas raportit, 8.6 milionë njerëz ishin shpërngulur brenda vendeve të tyre vetëm vitin e kaluar, gjysma e të cilëve në zonat e konfliktit të tilla si Iraku, Siria dhe Jemeni.
Mbi një milionë refugjatë që arritën në kontinentin e vjetër vitin e kaluar ishin vetëm maja e ajsbergut të shpërnguljeve globale, që mund të vlojnë prej vitesh brenda rajonit para se të shpërthejnë përtej kufijve.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
