Maqedoni

Ndotja e ajrit, Ahmeti: shumë shpejt do të kemi rezultate nga stacionet mobile

11.05.2016 15:34

Ministri i Ekologjisë, Bashkim Ameti, së bashku më rektorin e Universitetit të Evropës Juglindore, Zamir Dika...

Ministri i Ekologjisë, Bashkim Ameti, së bashku më rektorin e Universitetit të Evropës Juglindore, Zamir Dika, vizituan nga afër stacionet matëse mobil të ndotësve të ajrit, të cilat do të shërbejnë për matjen dhe për një pasqyrim të qartë se sa dhe cilët faktorë ndikojnë më së shumti  në ndotjen e ajrit në Pollog.
 
Shumë shpejt do të dilet edhe me një  analizë konkrete  dhe në mënyrë proporcionale do tregohen në përqindje faktorët që marrin më së shumti pjesë në ndotjen e ajrit në Tetovë. 
 
“I shpjeguam ministrit se deri në çfarë faze jemi, duke realizuar tre projektet. Njëri ka të bëjë me projektin me pajisje të vetëqëndrueshme konkretisht të stacioneve matëse të ajrit ambiental në rajonin e Tetovës. Gjithashtu biseduam edhe për dy projekte tjera. Njëri ka të bëjë me aktivitetet apo iniciativën e shpalljes së Malit Sharr park kombëtar dhe projekti tjetër është kontributi i universitetit për rritjen e kapacitetit për komunat e Kërçovës dhe Kavadarit dhe krijimin e planeve strategjike për përmirësimin e mjedisit ambiental.”- deklaroi rektori i UEJL-së, Zamir Dika.  
 
“Sot promovuam, në fakt testuam stacionet mobile matëse të ajrit ambiental në hapësirat e UEJL-së, kjo është marrëveshje që është nënshkruar në vitin 2015. Projekti kap vlerën prej 1 milionë e 700 mijë denarë, prej të cilave 1 milionë denarë janë kofinancim nga Ministria e Ekologjisë. Sot i pamë stacionet mobile matëse të ajrit ambiental. Besoj se analizat do të jenë një udhërrëfyes për aktivitetet tona në vazhdim.”- theksoi ministri i Ekologjisë, Bashkim Ameti.
 
Ministria e Ekologjisë po punon në vazhdimësi për zgjidhjen e problemit me ajrin e ndotur dhe se për çdo përparim eventual do të informohet edhe opinioni në muajt në vazhdim, tha me këtë rast ministri Ahmeti, por pa dashur të komentojë konkretisht se çfarë masash po ndërmerren ndaj “Jugohromit”, i cili vazhdon të punojë me kapacitet të plotë pa vendosur filtra.
 
VISAR SADIKI