Maqedoni
Kriza politike, Zyberi: Zgjidhje juridike, zgjedhjet të shtyhen; Xhaferi: Zgjidhja, vetëm politike; Musliu: Të parandalohet abolimi konstant
11.05.2016 15:41
Kriza politike do zgjidhje politike apo juridike? Dilemat e tilla shqyrtohen në emisionin “Argument” në TVM2...

Eksperti juridik, Naser Zyberi, thotë se juridikisht është e mundur dalja nga situata me ndryshimin e datës së zgjedhjeve në kuvend. Sipas Zyberit, seancën plenare juridikisht mund t’a thërret kryeparlamentari. Trajko Veljanovski.
“Këtu kemi të bëjmë për ndërprerje të mandatit që nuk është konsumuar, që d.m.th. mandati i përbërjes aktuale të kësaj legjislature nuk është shpërbë me fuqi juridike kushtetuese, sepse i ka kaluar mandati, por është shpërbë me vendim të parlamentit, me 61 vota, që do të thotë se edhe me vendim të parlamentit me 61 vota mund të rikonvokohet seanca e kuvendit dhe po të rikonvokohet, atëherë do të merret vendimi për shtyrjen e datës dhe të gjitha vendimeve të nevojshme që mund t’i merr parlamenti.”- deklaroi eksperti juridik, Naser Zyberi.
Por, koordinatori i grupit parlamentar i BDI-së, Talat Xhaferi, thotë se zgjidhja mund të jetë vetëm politike.
“As kushtetuta, as ligjet përkatëse nuk kanë parapa mundësi që të konvokohen zgjedhjet edhe mos të ketë zgjedhje. Kjo është diçka që Maqedonisë shumë sende i kanë ndodhur nga mëvetësimi. Është diçka e re si praktikë politike që i ndodh dhe është si pasojë e veprimeve politike të pjesëmarrësve politik në jetën politike në Maqedoni dhe kjo rrugëdalje është vetëm se me mjete politike, gjegjësisht me një marrëveshje të liderëve, të cilët nën përkujdesje të faktorit ndërkombëtarë që për atë që do të merren vesh të munden edhe t’a zbatojnë.”- tha Talat Xhaferi nga BDI.
Analisti politik, Albert Musliu, shpreson që zgjidhja të ngërthejë në vetvete vendosjen e mekanizmave, që do të pamundësojnë faljen konstante të krimit.
“Në Maqedoni nuk mund të ndodh që Gruevski të dalë në zgjedhje kredibile dhe të vazhdojë të qeverisë në formën të cilën e bënte më parë. Nuk do të kalojë kjo, thjesht se nuk ka procese retrograde. Këtu ndryshime do të ketë. Unë uroj që edhe ky rast të jetë një nxitës plotësues, që të vendohen mekanizma mbrojtës, që mos të na ndodh sërish në një të ardhme të afërt ose të largët që një subjekti politik t’i mundësohet që t’i kapë gjitha institucionet dhe vetveten t’a vendojë në një abolim konstant.”- theksoi analisti politik, Albert Musliu.
Optimizmi për nxjerrjen e vendit nga kriza politike shtohet edhe me ardhjen e të dërguarit special, Johanes Hajndëll, për të riparuar Marrëveshjen e Përzhinës.
MERAL ISMAILI
