Maqedoni

Hajndëll nesër në Shkup, ndërkombëtarët vazhdojnë takimet me partitë

11.05.2016 15:52

Përpjekjet e diplomatëve ndërkombëtarë për gjetjen e zgjidhjes së krizës vazhdojnë, megjithëse pa asnjë përparim të dukshëm...

Shpresë ngjall tani ardhja e emisarit gjerman, Johanes Hajndël, i cili pritet t’u japë lëvizje qëndrimeve të palëkundura të liderëve politik për zgjidhjen e krizës.
 
Optimist për ardhjen e Hajndëlit është edhe ministri i Jashtëm, Popovski. Ai pret ndihmën gjermane në rrugën eurointegruese, por thotë se kriza e brendshme duhet zgjidhur brenda vendit. 
 
“Bëhet fjalë për një sinjal pozitiv me vet faktin që Gjermania po tregon interes se dëshiron që të përfshihet drejtpërdrejt në proceset që po ndodhin në rajonin tonë më të gjerë dhe konkretisht në Maqedoni. Vendi ynë tashmë gjashtë vite ka punuar dhe ka treguar se është gati për fillimin e bisedimeve me BE-në. Dihet ku është pengesa. Tashmë një kohë të gjatë përballemi edhe me krizë politike. Kjo krizë është përgjegjësia jonë dhe duhet tejkaluar me resurse të brendshme.”- deklaroi ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski.
 
Bisedimet mes ambasadorëve dhe përfaqësuesve të partive politike po zgjasin tashmë disa ditë, por  po mbahen të fshehta nga opinioni. Gjithsesi, ambasadori amerikan, Xhes Bejli, pohon se përpjekjet e ndërkombëtarëve për nxjerrjen e vendit nga kriza vazhdojnë në mënyrë intensive. 
 
“Së bashku me kolegun tim nga delegacioni i BE-së kontaktojmë me partitë dhe punojmë me ta për gjetjen e zgjidhjes për dalje nga kriza politike. Përkushtimi ynë është i fuqishëm dhe ne vazhdojmë të punojmë më tutje.”- theksoi ambasadori i ShBA-ve, Jess Baily.
 
Kërkesa e opozitës maqedonase vazhdon të mbetet anulimi i faljes presidenciale të politikanëve. Pa u anuluar ky vendim, LSDM nuk pranon të ulet në një tryezë me VMRO-në. 
 
Opozita, ndërkohë, pajtohet se në vend nuk ka kushte për zgjedhje më 5 qershor dhe duhet diskutuar për një datë tjetër.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU