Maqedoni

Lista zgjedhore, 1.958.844 votues, numri pritet të shtohet

11.05.2016 16:15

Maqedonia numëron rreth 2.5 milionë shtetas, prej të cilëve afër dy milionë qytetarë janë me të drejtë vote, ndërsa 505 mijë e 422 janë minorenë...

Nga këto të dhëna që KShZ-ja për së pari herë i kërkoi nga MPB, del se është rritur numri i personave me të drejtë vote. 
 
“Në përgjigjen e MPB-së qëndron se është rritur numri i personave me të drejtë vote, gjegjësisht banorët e moshës madhore arrijnë në 1 milionë e 958 mijë e 844 persona. Personat minorenë janë 505 mijë e 422, ndërsa gjithsej sipas përgjigjes së MPB-së Maqedonia numëron 2 milionë e 464 mijë e 266 shtetas.”- deklaroi kryetari i KShZ-së, Aleksandar Çiçakovski.
 
Numri i votuesve në periudhën e ardhshme do të rritet, sepse një pjesë e qytetarëve që nuk janë të regjistruar në Listën zgjedhore do të marrin pasaportë ose letërnjoftim. 
 
“Kur delegacionet e huaja hutohen se si është e mundur që të ketë kaq shumë votues, përgjigjja është se regjistrimi i popullsisë nuk ka lidhje me Listën zgjedhore”- tha anëtari i KShZ-së nga BDI, Subhi Jakupi.
 
“Lista nuk është ideale, pra këtë që e kemi, por me kalimin e kohës do t’a riplotësojmë dhe një herë e përgjithmonë në këtë shtet do të kthehet besimi në Listën zgjedhore.”- theksoi anëtari i KShZ-së nga PDSh, Bedredin Ibrahimi.
 
Në lidhje me diasporën, deri te KShZ-ja kanë arritur 6.686 fletëparaqitje për votim të shtetasve të Maqedonisë të cilët qëndrojnë jashtë vendit.
 
SANIJE DURAKU