BPM dhe ShBM: Ktheni paratë në banka, janë më të sigurta
Spekulimet për devalvimin e denarit kanë bërë që qytetarët t’i tërheqin në masë të madhe depozitat e tyre nga bankat...

Vetëm në muajin prill qytetarët nga bankat dhe kursimoret kanë tërhequr depozita në vlerë prej 3,6 miliardë denarëve, ose 1,6 për qind nga depozitat e përgjithshme.
Kjo ka detyruar Bankën Popullore të intervenojë në tregun devizor me 77 milionë euro. Por, nga Shoqata e bankierëve konstatojnë se gjendja në sektorin e bankave është drejt përmirësimit dhe në afat të shkurtër pritet normalizimi i tërësishëm.
“Gjendja në sektorin bankar është përmirësuar edhe pse kishim spekulime në lidhje me devalvimin e denarit. Në periudhën që vjen presim që gjendja plotësisht të normalizohet. Aktualisht vërehet një tendencë për kthimin e parave në banka me krijimin e depozitave të reja. Apeloj tek të gjithë ata që tërheqin depozitat, t’i kthejnë të hollat në banka, pasi atje janë më të sigurta.”- deklaroi drejtori i Shoqatës së Bankierëve, Kosta Mitrovski.
“Bankat u përballëm me një stres test real dhe treguan se dinë t’a përballojnë këtë sulm të fuqishëm. Bankat u përballën mirë me këtë sfidë pikërisht për shkak të likuiditetit të lartë dhe kapitalizimit të mirë, si dhe nga niveli i lartë i rezervave revizore.”- theksoi guvernatori i Bankës Popullore, Dimitar Bogov.
Gjithsesi, sipas Bankës Popullore, për dallim nga krizat e kaluara të vitit 2011, 2008 dhe 2009, devizat të cilat janë tërhequr kësaj radhe janë mbajtur në vend.
Nga Shoqata e bankierëve japin edhe lajmin e mirë se tani për tani nuk mendojnë për rritje të normave të interesit të kredive, madje po bëhen analiza dhe pjesa më e madhe e bankave mendojnë të ofrojnë shkallë kamatore më atraktive për depozitat në denarë. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
