Maqedoni

Rasti “Kumanova”, anulohet seanca për 19 maj, tashmë 37 të akuzuar

11.05.2016 17:25

Është anuluar seanca e sotme gjyqësore e “Rastin të Kumanovës”. Shkak për anulimin ka qenë se nuk ka hapësirë të mjaftueshme për t’u zhvilluar seanca...

Duke pasur parasysh se janë bashkuar lëndët dhe me këtë shtohet edhe numri i të akuzuarve në 37, gjykatësja, Vera Petrovska, thotë se objekti nuk i plotëson kushtet dhe do të kërkojë që më 19 maj të sigurohet hapësirë për mbarëvajtjen e procesit.
 
Për palën mbrojtëse një vendim i tillë është jologjik, pasi që sillet mu në fazën përfundimtare, dhe bashkimi i lëndëve do të kthejë gjykimin nga e para.   
 
“Proceduara nuk duhet të bashkohet për shkakun se rasti i parë, që këta e quajnë ‘terrorizëm’, por kjo nuk ka lidhje me terrorizmin, është në fazën përgjysmë, duke u mbaruar, dhe tash duhet të fillojë nga fillimi dhe kjo është mosprofesionalizim i prokurores që gjykatësi do të bëjë qejf dhe e bashkon lëndën. Në dispozitat ligjore qëndron se kur bashkohet proceduara dhe pse duhet të bashkohet, tash kjo duhet të fillohet nga fillimi dhe kjo puna jonë shkon krejt huq.”- tha avokati mbrojtës, Shasivar Iseini.
 
Ende nuk dihet se ku do të vazhdojë gjykimi i të akuzuarve për “Rastin e Kumanovës”. Gjykata Themelore e Shkupit ka kërkuar nga Gjykata Supreme që t’ia lëshojë sallën që fillimisht shfrytëzohej për këtë gjykim, por kryetarja e Supremes, Lidija Nedellkova, refuzoi, me arsyetimin se salla nuk është e paraparë për gjykime.
 
Ajo ka thënë se nëse gjykimi bëhet në Gjykatën Supreme, do t’i shqetësonte të punësuarit, pasi që nuk ka siguri. 
 
Vendimi për bashkimin e lëndëve është në kundërshtim me Kodin e së drejtës penale, vlerëson profesori universitar, Bashkim Selmani. 
 
“Realisht kur pritej që të sillet aktgjykimi, pra aktgjykimi sillet në seancën e shqyrtimit kryesor, kjo nuk u soll dhe bëri bashkimin e lëndëve, kjo është në kundërshtim me vetë Kodin e procedurës penale të Maqedonisë dhe bie në kundërshtim me të drejtën penale ndërkombëtare, për arsye se vetëm gjatë fazës paraprake dhe fazës së hetuesisë mund të bashkohen proceset, por jo edhe në seancën e shqyrtimit kryesor, sepse në asnjë mënyrë nuk lejohet në shqyrtimin kryesor të bashkohen lëndët, mundet paraprakisht në fazën hetimore, por jo edhe në fazën posthetimore.”- theksoi profesori universitar, Bashkim Selmani.
 
Sipas profesorit Selmani, gjyqësori më shumë ndikohet nga politika dhe i përshtatet situatës politike, e jo fakteve dhe argumenteve. 
 
ERSAN PAJAZITI