VMRO dorëzon listën në KShZ
VMRO-DPMNE i dorëzoi listat e deputetëve në KShZ vetëm 30 minuta para përfundimit të afatit ligjor, që skadoi mbrëmë në mesnatë...

“Komiteti ekzekutiv i partisë konfirmoi përbërjen e listave dhe ato u dorëzuan sipas të gjitha afateve të përcaktuara ligjore për zgjedhjet e 5 qershorit”, thanë nga VMRO.
Sipas këtij vendimi, bartësit e listave do të jenë: Nikolla Gruevski në njësinë e parë zgjedhore, Nikolla Poposki në të dytën, Ilija Dimovski në njësinë e tretë zgjedhore, Nikolla Todorov në të katërtën, Antonio Miloshovski në të pestën dhe Vllatko Gjorçev në njësinë e gjashtë zgjedhore.
Vendimin e VMRO-DPMNE-së për shkuarje në zgjedhje më 5 qershor nga LSDM-ja e shohin si tentim për thellim të krizës politike. Nga partia e Zaevit, madje, theksojnë se Gruevski po tenton të shkel mbi gjithçka vetëm e vetëm që të mbetet në fuqi vendimi i Ivanovit për falje.
“Kthim pas nuk ka! Nuk do të ketë zgjedhje pa pastrimin e listës zgjedhore, pa reforma në media dhe pa ndarjen e partisë nga shteti! Në Maqedoni do të ketë zgjedhje kur do të përmbushen kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike! Kriminelët do të ballafaqohen me drejtësinë dhe me vullnetin e qytetarëve në zgjedhje të rregullta!”- thonë nga LSDM.
As BDI nuk dorëzoi mbrëmë lista deputetësh në KShZ. BDI kërkon zgjedhje me pjesëmarrjen e të gjithëve, pasi vetëm ato e nxjerrin vendin nga kriza, tha dje zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
“Vetëm zgjedhjet gjithëpërfshirëse do të na nxjerrin nga kjo krizë... Bisedimet vazhdojnë, shpresojmë që partitë politike do të gjejnë forcë për të gjetur një zgjidhje e cila është e pranueshme për të gjitha palët dhe t’a mbyllim këtë krizë pas dy viteve ngushtim të mundësisë për zhvillim edhe të shtetit edhe të qytetarëve.”- theksoi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
Nga Partia Demokratike Shqiptare sqaruan se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje pa u plotësuar më parë kushtet për to. “Tashmë disa herë kemi deklaruar që nuk ka kushte minimale për mbajtjen e zgjedhjeve dhe PDSh nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 5 qershorit. ”- thonë nga PDSh.
Tashmë KShZ-ja ka 48 orë afat të shqyrtojë listat për të vërtetuar nëse janë në pajtim me ligjin. Nëse ka parregullsi, partitë kanë kohë 48 orë t’i rregullojnë të njëjtat.
Sipas ligjit, KShZ vazhdon punën e saj për përgatitjen e zgjedhjeve edhe nëse vetëm një parti dorëzon listën e kandidatëve brenda afatit ligjor. Por, dje në mëngjes listë deputetësh dorëzoi edhe Lëvizja Popullore për Maqedoninë. (Migena Gorenca, TVM2)
