Padi për një studente nga Shkupi, hedh foshnjën në plehra dhe vazhdon ekskursionin
Një studente 23 vjeçare nga Shkupi, në muajin e 7 apo të 8 të shtatzënisë ka lindur foshnjën e saj në banjën e vendkalimit kufitar në Tabanoc, e më pas foshnjën e ka hedhur në kontejnerët e plehrave aty pranë....

Më pas vajza ka vazhduar ekskursionin me fakultetin. Ngjarja ka ndodhur më 29 mars, njoftojnë nga MPB. Trupi është gjetur nga punonjësit e pikës kufitare, të cilët kanë alarmuar policinë. Nuk ekzistojnë të dhëna nëse shtatzënia e saj ka qenë e kontrolluar nga mjeku.
“Derisa studentët kanë pritur në vendkalimin kufitar për kontroll të pasaportave, vajza ka ndier dhimbje të forta në stomak dhe ka shkuar në tualetin e vendkalimit kufitar. Në tualet e ka lindur fëmijën dhe e ka lënë në kontejnerin e plehrave. Më pas është kthyer në autobus dhe ka vazhduar udhëtimin. Pasi personeli në vendkalimin kufitar e ka zbuluar foshnjën e pajetë, rasti është paraqitur në SPB Kumanovë, prej ku pas hetimeve intensive kanë kontaktuar me organizatorët e ekskursionit. Të nesërmen vajza është dërguar në Klinikën e Gjinekologjisë në Pragë, ku i është ofruar ndihmë mjekësore.”- thuhet nga MPB.
Studentja është arrestuar pas përfundimit të ekskursionit më 18 prill dhe është dërguar për ekspertizë plotësuese mjekësore.
Sipas hetimeve paraprake, është konstatuar se pa marrë parasysh muajin e shtatzënisë, foshnja që ka lindur gjallë do të mbijetonte në rast se lindja do të bëhej në kushte adekuate spitalore. Kundër vajzës është ngritur padi penale për vrasje të foshnjës gjatë lindjes. (Gyltene Sinani, TVM2)
