Maqedoni

Apeli i diasporës maqedonase, me gjuhë të urrejtjes

19.03.2014 17:28

Ditëve të fundit, në rrjetet sociale, është shfaqur një fletë-apel që përmban gjuhë të urrejtjes nacionale...

Ditëve të fundit, në rrjetet sociale, është shfaqur një fletë-apel  që përmban gjuhë të urrejtjes nacionale, pasi fton diasporën maqedonase të mobilizohet dhe masovikisht të dalin  në zgjedhje, me qëllim që të mposhtin konkurrentët e diasporës shqiptare.
 
Ashtu siç pasqyron fotoja, në këtë apel shkruhet: ”Motra dhe vëllezër maqedonas, të mos lejojmë që maqedonasit e diasporës në parlamentin maqedonas, të përfaqësohen nga ndonjë shqiptar.
 
Të mos lejojmë të na ndodhin Struga dhe Kërçova në Nju Jork dhe Nju Xhersi, ne këtë nuk e meritojmë. Të dëshmojmë që populli maqedonas di të kujdeset për atdheun e vet, di dhe mund të organizohet çdoherë kur është e nevojshme. 
 
TVM2 tentoi të  kontaktojë numrin e shtypur në fletën e apelit, por nuk arriti që të vendos kontakt, si pasojë e mospërgjigjes së thirrjes telefonike.
 
Zëri i urrejtjes dhe populizmit, sipas profesorit universitar, Ylber Sela, Maqedonisë tani më së paku i konvenon, andaj sipas tij, nëse vazhdohet në këtë formë, vijat ndarëse bëhen edhe më të theksuara dhe kjo përngadalëson procesin euroatlantik të vendit. 
 
“Maqedonisë më së paku i konvenon gjuha e urrejtjes, e ngritjes së nacionalizmit dhe populizmit, normalisht që kjo do të ndikonte negativisht në shoqërinë dhe në përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike në vend. Pala maqedonase duhet të shohë të ardhmen e shtetit, ne si qytetarë të punojmë dhe të ndërtojmë shoqërinë multietnike të Maqedonisë dhe të integrojmë shtetin në strukturat euroatlantike dhe jo të bëjmë ndasi, jo të rrisim dhe të ndikojmë në procesin e urrejtjes midis shoqërive në vend, sepse kjo do të përngadalësojë procesin e zhvillimit shoqëror dhe procesin e integrimit evropian”, u shpreh profesori universitar, Ylber Sela.
 
Sela, njëherit thekson se ngritja e nacionalizmit është tipike në vendet të cilat ende janë në tranzicion demokratik. (Zejxhane Osmani, TVM2)