Rasti “Neshkovki”, PSP rimerr në pyetje ish truprojën e Gruevskit

12.05.2016 15:39

Ish polici dhe pjesëtari i Njësisë speciale policore “Tigrat”, Igor Spasov, i cili u dënua me 14 vjet burg për vrasjen e Martin Neshkovskit, sërish është marrë në pyetje nga Prokuroria Speciale Publike...

Siç informojnë nga PSP, Spasov është sjellë për të tretën herë para këtij institucioni nën prezencën e madhe policore për t’u marrë në pyetje për procedurën parahetimore që ka hapur Prokuroria Speciale për këtë rast. Prokuroria Speciale, për shkak të fshehtësisë dhe hetimeve paraprake, nuk jep shumë detaje lidhur me këtë, por konfirmon për TVM-2 lajmin se Spasovi është  thirrur në pyetje.

Prokuroria Speciale ka marrë rastin “Neshkovski” në kompetencat e saj, pasi që në njërën prej “bombave” të LSDM-së u publikuan audio-incizime të disa funksionarëve të lartë dhe ministrave të VMRO-DPMNE-së të cilët  flasin për vrasjen e të riut. LSDM atëherë ngriti dyshime se në ditën kur është vrarë Neshkovski, Igor Spasov nuk është dashur të jetë aty në detyrë, por në një vend tjetër, dhe ai ka qenë i thirrur të sigurojë në Shkup mitingun e VMRO-së jashtë të gjitha procedurave ligjore të MPB-së.

Martin Neshkovski u vra në vitin 2011 gjatë festimit të fitores së VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet parlamentare. (Rexhep Qamili, TVM2)