Java e personave me aftësi të kufizuara, “Polio Plus”: Të diskriminuar në të gjitha fushat
Në javën evropiane për jetesë të pavarur dhe dinjitet për persona me aftësi të kufizuara, Lëvizja “Polio Plus” del me vlerësimin se këta persona vazhdojnë të diskriminohen në të gjitha fushat...

Bashkë me Shoqatën e juristëve të rinj, “Polio Plus”, përmes një punëtorie, po mundohet të ngrejë vetëdijen e personave me aftësi të kufizuara se kur dhe ku mund të kërkojnë mbrojtje nga diskriminimi, njofton TVM2.
“Diskriminimin me së shpeshti e hasim në punësim, por gjatë bisedës vërejmë se ata në jetën e përditshme ballafaqohen me diskriminim në të gjitha fushat, duke përfshirë këtu edhe arsimin. Sipas nesh, arsimi është një nga elementet më të rëndësishme të përfshirjes sonë në baza të barabarta me qytetarët e tjerë.”- tha Elena Kocoska nga Lëvizja “Polio Plus”.
“Shoqata e juristëve të rinj në fushën e mbrojtjes nga diskriminimi punon që 6 vite dhe deri më tani kemi mbështetur mbi 30 procedura. Nga këto, deri më tani në rreth shtatë raste është konfirmuar diskriminimi. Personat me aftësi të kufizuara kanë kërkuar ndihmë rreth pesë deri në gjashtë herë”- theksoi juristja, Arangjeloviq Orovçanec.
Mekanizmat për mbrojtjen nga diskriminimi janë Komisioni për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokati i Popullit dhe gjykatat, që deri më tani kanë qenë më efektivët në mbrojtjen e të drejtave të kësaj kategorie të qytetarëve. (Rejhan Bushi-Metaj, TVM2)
