Maqedoni
Analistët: ardhja e Hajndëll, shpresë për tejkalimin e krizës
12.05.2016 16:34
Ardhja e emisarit gjerman në vend ngjall një shpresë për tejkalimin e krizës...

Për dallim nga ndërmjetësuesit e tjerë që vinin në suaza të Bashkimit Evropian, diplomati gjerman do të zhvillojë diplomaci me presion ndaj liderëve politik. Kështu e komentoi ish ambasadori, Nano Ruzhin, angazhimin e diplomatit gjerman në krizën politike vendore.
“Mendoj dhe jam i sigurt se Johanes Hajdëll vjen këtu me qëndrime të forta dhe të qarta, për dallim nga Johanes Hahn, sepse Hajndëll do të ketë vetëm një obligim, i cili do të fokusohet vetëm në Maqedoni. Detyra e tij primare është që t’i ndërlidh partitë në dialog dhe të realizohet Marrëveshja e Përzhinës. Kjo mund të arrihet vetëm kur do të këtë dialog të përbashkët mes partive politike. E dimë se dialogu me këta liderë është i rëndë. Detyra e emisarit do të jetë e rëndë, por mund të besojmë në daljen nga kriza.”- deklaroi profesori universitar, Nano Ruzhin.
Inkuadrimi i diplomatit gjerman duhet shikuar në kontekst të ripërfshirjes së Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor, ndërkaq Maqedonia në këtë gjendje prish imazhin e fuqisë së Gjermanisë në Evropë, theksoi publicisti, Emin Azemi.
Gjithsesi, Azemi shpreson për një ndërhyrje efektive të Diplomacisë gjermane.
“Vizita e ambasadorit Hajndëll, gjithsesi, duhet shikuar në prizmin evropian për Evropën dhe Maqedoninë jostabile në këtë vizion. Në këtë kontekst dërgimi zyrtar po e kthen fuqinë e ndikimit politik dhe problemet e brendshme të Maqedonisë mund t’ia prishin vizionin për Ballkanin. Mund të presim që trysnia gjermane ndaj Maqedonisë të ketë efektivitetin e vet dhe unë pres që këtë Diplomaci gjermane t’a mbështesë edhe Diplomacia amerikane dhe të shohim një përfundim të mirë.”- theksoi publicisti, Emin Azemi.
Emisari gjerman, Johanes Hajndëll, do të kërkojë nga presidenti Ivanov tërheqjen e vendimit për abonim, ndërsa nga liderët e partive politike respektimin e Marrëveshjes së Përzhinës, përndryshe zgjedhje nuk do të mund të ketë për një kohë të gjatë, theksuan profesori Ruzhin dhe publicisti Azemi.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
