Maqedoni
Alergjitë karakteristike për këtë periudhë
19.03.2014 17:32
Temperaturat e larta dhe çelja e luleve, janë dy çështje që shkaktojnë problem shëndetësor në këtë periudhë të vitit...

Temperaturat e larta dhe çelja e luleve, janë dy çështje që shkaktojnë problem shëndetësor në këtë periudhë të vitit. Mjekët thonë se këto dy çështje shkaktojnë kollitje, lotim të syve dhe alergji. Mjeku Sedat Lumani, rekomandon njerëzit me sëmundje kronike dhe fëmijët, të jenë më të kujdesshëm në këtë sezonë, ku kemi ndryshime të motit.
“Janë sëmundje karakteristike të stinës, të cilat manifestohen me reaksione alergjike, siç janë rinofaringitet alergjik, dermatitet alergjik, përkeqësimi i të sëmurëve të sistemit respirator te njerëzit që lëngojnë prej azmës, prej bronhiteve kronike, të cilat etiologjikisht kanë të bëjnë me alergjinë, janë sëmundje tipike që mundësohen prej këtyre kushteve klimatike që jemi aktualisht”, tha mjeku i përgjithshëm, Sedat Lumani.
Kjo periudhë e vitit, përjetohet në mënyra të ndryshme nga qytetarët.
“Për ne më të moshuarit ndikon shumë, ndërsa për më të rinjtë nuk besoj, p.sh. tek unë ndikon në tensionin e gjakut”, u shpreh një qytetarë.
“Koha tash për tash është mirë, por dimri pa borë. Fëmijët i kam pasur të sëmurë”, tha një qytetare.
“Unë nuk kam kurrfarë problemi, ndjehem mirë, virus nuk kam”, u shpreh një qytetarë tjetër.
“Viruset i kemi pasur se i kemi pasur, të paktën koha ne të na mbajë më mirë”, tha një qytetare.
Shumë njerëz nuk e dinë se janë alergjik dhe prandaj kjo shkakton rritjen e numrit të këtyre pacientëve, ndërsa alergjia mund të përdëftohet në bazë të alergo-testeve. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
