Maqedoni
Zëvendëskryeministri Ademi takoi ambasadorin e Shqipërisë Fatos Reka
12.05.2016 17:01
Ademi-Reka: Vëmendje e veçantë zbatimit të marrëveshjes politike dhe Marrëveshjes Kornizë të Ohrit...

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Arbër Ademi, gjatë takimit të realizuar me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Fatos Reka, diskutuan për gjendjen aktuale politike në vend, si dhe për thellimin e bashkëpunimit bilateral mes dy vendeve.
Të dy bashkëbiseduesit gjatë takimit kanë rënë dakord që situata e ndërlikuar politike ndikon në procesin integrues të vendit dhe në këtë aspekt duhet kushtuar vëmendje e veçantë implementimit të mëtejmë të reformave urgjente prioritare, si dhe zbatimit të marrëveshjes politike dhe Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ku fokusi kryesor i të gjithë aktorëve politik, pa përjashtim, duhet të jetë gjetja e zgjidhjes së përbashkët për krizën e krijuar juridike dhe politike.
Zëvendëskryeministri Ademi dhe ambasadori Reka përshëndetën marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore mes dy vendeve dhe diskutuan për planifikimin e aktiviteteve konkrete për thellimin e bashkëpunimit bilateral dhe rajonal në fushat me interes të përbashkët përmes shkëmbimit të përvojave në aspektin e procesit euro-integrues, si dhe në aspekt të shfrytëzimit më efikas të fondeve evropiane.
Ambasadori Reka uroi zëvendëskryeministrin Ademi për marrjen e funksionit, duke shpresuar kështu në avancimin e mëtutjeshëm të arritjeve të deritanishme si në aspekt të procesit të integrimit, por edhe në aspekt të bashkëpunimit bilateral dhe rajonal.
