Maqedoni

Ambasadorët evropianë apelojnë për zgjidhje sa më të shpejtë të krizës

12.05.2016 17:13

Ambasadorët evropian, ai i BE-së, Aivo Orav, i Britanisë, Çarlls Garet, dhe ai i Holandës, Walter Plomp, apelojnë deri tek liderët...

Ambasadorët evropian, ai i BE-së, Aivo Orav, i Britanisë, Çarlls Garet, dhe ai i Holandës, Walter Plomp, apelojnë deri tek liderët e partive politike që sa më shpejt të gjendjet zgjidhje për daljen nga kriza.
 
Sipas ambasadorëve, zgjedhjet e 5 qershorit nuk mund të jenë të besueshme, duke pasur parasysh se nuk janë arritur pikat e Marrëveshjes së Përzhinës në aspektin e listës së votuesve dhe në pjesën e reformave në media, dhe se në zgjedhje nuk do të marrin pjesë shumica e partive politike. 
 
“Ne e kemi vërejtur se shumica e partive politike nuk do të marrin pjesë në zgjedhje. Ekzistojnë ende probleme me listën e zgjedhësve, larinë e mediave dhe ka një problem shumë serioz me vendimin e presidentit Ivanov. Qëllimi i Marrëveshjes së Përzhinës ishte që të arrihet zgjedhje kredibile dhe ideja e këtyre zgjedhjeve ishte që t’i jepet fund krizës, por kjo nuk po arrihet, dhe pikëpyetje mbetet se si këto zgjedhje do të jenë kredibile.”- deklaroi ambasadori i BE-së, Aivo Orav.
 
“Urgjentisht duhet të arrihet marrëveshje dhe Maqedonia të dalë nga qorrsokaku! Mendoj se duhet të arrihet zgjidhje për abolimin, sepse më e rëndësishme është në secilin shtet për sundimin e të drejtës të gjithë qytetarët të jenë të njëjtë para ligjit.”- tha ambasadori i Britanisë, Çarlls Garet.
 
“Shpresojmë që liderët politik do të gjejnë kurajën dhe zgjuarsinë që të gjejnë zgjidhje për tejkalim të krizës politike.”- theksoi ambasadori i Holandës, Walter Plomp.
 
Apeli i ambasadorëve vjen në ditën kur në vend po qëndron i dërguari special nga Gjermania, Johanes Hajndëll, i cili do të takojë liderët e partive politike, por edhe ambasadorët. 
 
ERSAN PAJAZITI