Ekonomi

Ministrat, Driton Kuçi dhe Blerand Stavileci, pajtohen të avancojnë bashkëpunimin në energjetikë dhe infrastrukturë

12.05.2016 17:25

Maqedonia dhe Kosova duhet të intensifikojnë bashkëpunimin në fushat e interesit të përbashkët...

Maqedonia dhe Kosova duhet të intensifikojnë bashkëpunimin në fushat e interesit të përbashkët, si: energjia, infrastruktura dhe fusha tjera që hyjnë në kuadër të bashkëpunimit rajonal, tha sot ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi, gjatë vizitës që ka realizuar në Prishtinë me homologun e tij kosovar, Blerand Stavileci.
 
Ministri Kuçi tha se me homologun e tij nga Kosova janë pajtuar se niveli i bashkëpunimit që kanë pasur në të kaluarën, patjetër duhet të ngrihet në një nivel më të lartë, nisur nga fakti që dy shtetet tashmë kanë marrëveshje të nënshkruara.
 
“Jemi pajtuar rreth rëndësisë së zhvillimit të sistemeve gazpërçuese të dy vendeve, sepse në mesin e 6 interkonektimeve potenciale shtesë të parashikuara janë edhe intekonektimi me Kosovën, me të cilën do të shtohet sigurimi i furnizimit me energji, konkurrenca që mund të kontribuon në zvogëlimin e çmimit të energensave, ndërsa me rritjen e shfrytëzimit të gazit natyror do të zvogëlohen emitimet e materieve të dëmshme për mjedisin jetësor.”- u shpreh ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi.
 
Ministri Kuçi tha  gjithashtu se me homologun e tij kosovar kanë rënë dakord se të dyja shtetet janë bashkëpjesëmarrëse në të gjithat iniciativat rajonale, përfshirë edhe ato që rrjedhin nga Procesi i Berlinit, ky bashkëpunim duhet çuar më tej.
 
Ndërsa ministri i Ekonomisë i Kosovës, Blerand Stavileci,  është shprehur se tash e tutje do t’a ndryshojnë kahjen në kuptimin pozitiv, sidomos për sa i takon ritmit të zhvillimeve, do të fillojnë me aktivitete dhe projekte konkrete.
 
“Gjatë takimit u bisedua rreth projekteve energjetike aktuale të përbashkëta, interkonektimi i dytë Maqedoni-Kosovë prej 400 kV, si dhe Marrëveshja Operative mes MEPSO-s dhe KOSTT-s, me të cilën rregullohet bashkëpunimi i sistemeve interkonektive mes Maqedonisë dhe Kosovës”, ka deklaruar ministri Stavileci.
 
Ministri Kuqi  gjatë vizitës së parë zyrtare në Kosovë ka takuar edhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës dhe kryetarin e sapozgjedhur të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Vejselin, me të cilin është biseduar për zhvillimet politike dhe ekonomike në të dyja vendet.
 
Kryetarin Veseli, ministri Kuqi e ka uruar për liberalizimin e vizave mes Kosovës dhe BE-së, si dhe pranimin e Kosovës në UEFA.