Maqedoni
Zgjedhjet, KShZ miratoi listën e VMRO-DPMNE-së; Osman Kadriu: KShZ të mos konstatojë se ka kushte për zgjedhje
12.05.2016 17:46
Me 6 vota “për” dhe asnjë “kundër”, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi listën e kandidatëve...

Me 6 vota “për” dhe asnjë “kundër”, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi listën e kandidatëve për deputetë të cilën e dorëzoi koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ndërkaq për shkak të parregullsive listat e dy partive tjera, asaj të Lëvizjes Popullore të Maqedonisë dhe Partisë Socialiste Demokratike, KShZ vendosi t’ua kthejë partive në fjalë, të cilat, sipas ligjit, në afat prej 48 orësh duhet t’i dorëzojnë të kompletuara. Në seancë sërish nuk morën pjesë anëtarët nga radhët e LSDM-së.
“Konstatoj se me 6 vota për dhe asnjë kundër janë vërtetuar listat për zgjedhje të deputetëve në Kuvendin e RM-së në njësitë zgjedhore nga numri një deri në njësinë e 7-të zgjedhore të dorëzuara nga koalicioni VMRO-DPMNE.”- deklaroi kryetari, Aleksandar Çiçakovski.
Dorëzimin e listës VMRO-DPMNE e ka cilësuar si të drejtë qytetare, duke vlerësuar se janë përmbushur kushtet, teksa LSDM konsideron se dorëzimi i tyre dëshmon se Nikolla Gruevskit nuk i interesojnë qytetarët dhe ardhmëria e shtetit.
Por, eksperti juridik, Osman Kadriu, dorëzimin e listave vetëm nga VMRO-DPMNE e vlerëson si gjë joserioze.
Sipas tij, KShZ, si organ i vetëm legjitim për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve, nuk duhet të konstatojë se janë përmbushur kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve, sepse kjo do të ishte në kundërshtim me parimet e funksionimit politik dhe nacional të shtetit.
“Në qoftë se mbahen zgjedhjet, atëherë ne do të kemi një parlament njëpartiak, do të kemi një parlament njënacional, ndërsa këto dy cilësi janë në kundërshtim me vlerat më të rëndësishme, vlerat bazike të rendit kushtetues të Maqedonisë, meqenëse në Maqedoni sigurohet funksionimi i shtetit shumëpartiak dhe sigurohet përfaqësimi adekuat dhe i drejtë i të gjitha bashkësive nacionale. Si mund të mendohet dhe të paramendohet të kemi një parlament pa shqiptarë dhe pa pjesëtarë të bashkësive tjera nacionale dhe të kemi qeveri pa shqiptarët. Kjo është nonsens, këto janë veprime antikushtetuese, veprime anti-shtetërore, prandaj jam i mendimit se KShZ është ai organ i cili tash duhet të bëjë verifikimin, faktikisht mosverifikimin e listave të dorëzuara nga e vetmja parti, VMRO-DPMNE.”- theksoi eksperti juridik, Osman Kadriu.
Kadriu gjithashtu thotë se KShZ nuk është organ partiak, pa marrë parasysh se aty ka pjesëtarë të partive.
“KShZ-ja duhet të mbrojë ligjin, ndërsa në procesin zgjedhor është gjykatë për përgjegjësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë të tërë procesit zgjedhor.”, nënvizon eksperti juridik, Osman Kadriu.
NAIM RAMADANI
