Maqedoni

Hajndëll: koha është e shkurtër, reformat janë të nevojshme

12.05.2016 18:21

Koha është e shkurtër dhe kërkon një përpjekje të përbashkët të të gjitha partive politike për të zbatuar reformat e nevojshme...

Koha është e shkurtër dhe kërkon një përpjekje të përbashkët të të gjitha partive politike për të zbatuar reformat e nevojshme, thuhet në deklaratën me shkrim të deputetit special gjerman, Johannes Hajndëll, i cili është në një mision dyditorë në Maqedoni në tentativë për të zgjidhur krizën politike.
 
Në deklaratën me shkrim të dërguar nga Ambasada gjermane në emër të ndërmjetësuesit të ri, Johanes Handëll, nuk përmenden zgjedhjet e 5 qershorit. 
 
“Erdha që të njoftohem me situatën dhe para së gjithash t’i dëgjoj ata. Bëhet fjalë për atë që procesi i iniciuar nga BE-ja dhe ShBA-të të japë sukses. Detyrën time e shoh në mbështetjen aktive të këtyre përpjekjeve. Zhvillimet e ditëve të fundit sërish tregojnë qartë se koha është e shkurtër dhe tani është e nevojshme një përpjekje e përbashkët e të gjitha partive politike për të zbatuar reformat e nevojshme dhe për të vazhduar me vendosmëri rrugën."- thuhet në deklaratën me shkrim të deputetit gjerman, Hajndëll.
 
Ndërmjetësuesi i ri, Hajndëll, bisedimet i filloi me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Popvskin. Në një deklaratë me shkrim të Ministrisë së Punëve të Jashtme thuhet se Hajndëll i ka njoftuar për mandatin e tij dhe pritjet nga angazhimi në Maqedoni.
 
Në takim janë shkëmbyer pritjet se përpjekjet për të tejkaluar krizën politike në vend mbeten të fokusuara në reformat me të cilat do të mbahet rekomandimi për zhvillimin e dialogut paraqasës me BE-në, të cilin Maqedonia për së pari herë e mori nga Komisioni Evropian në vitin 2009.
 
Në të njëjtën kohë, ministri Popovski theksoi rëndësinë që kriza politike të tejkalohet përmes zgjidhjeve që janë të mbështetura vetëm nga institucionet e Maqedonisë, aktorët politikë dhe qytetarët e Maqedonisë, vullneti i të cilëve shprehet në zgjedhje. 
 
Pas takimit me Popovskin, deputeti gjerman ka zhvilluar takim kokë më kokë me ambasadorët, Xhes Bejli dhe Aivo Orav. Edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, ka zhvilluar sot takim me ndërmjetësin Hajndëll. 
 
Për ditën e nesërme në tavolinën e bisedimeve në takime të ndara i dërguari special i Gjermanisë do të dëgjojë liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, atë të BDI-së, Ali Ahmetin dhe të PDSH-së, Mendu Thaçin.  
 
SANIJE KASAMI