Maqedoni
Analistët: Kandidatura e Halimit, vardisje e PDSH-së ndaj VMRO-së
19.03.2014 17:48
Vardisje dhe kalkulim i thjeshtë partiak. Kështu e vlerësojnë analistët politik, kandidaturën për president të PDSH-së...

Vardisje dhe kalkulim i thjeshtë partiak. Kështu e vlerësojnë analistët politik, kandidaturën për president të PDSH-së. Profesori universitar, Mersel Bilalli, ka vlerësuar se kalkulimet partiake të PDSH-së, janë të thjeshta dhe vardisje ndaj VMRO-së.
“Mendoj se është kalkulim i thjeshtë partiak dhe një farë vardisje ndaj VMRO-DPMNE-së. Kandidati shqiptar nuk ka shans në këtë sistem kushtetues, të fitojë së paku edhe 20 vitet e ardhshme”, tha analisti politik, Mersel Bilalli.
Ndërsa analisti politik, Petar Arsovski, vlerëson se kandidatura e Iljaz Halimit nga ana e PDSH-së, është bërë me qëllim që të shfrytëzojë hapësirën e lënë nga BDI, për të marrë më shumë vota.
“Supozoj se duke pasur parasysh se partia më e madhe shqiptare, BDI, në moment nuk ka nxjerrë kandidat, ndoshta PDSH ka ndjerë se është momenti që ata të nxjerrin kandidatin e tyre, duke shpresuar se do ta mbushin atë vakum të cilin BDI e ka lënë, duke mos nxjerrë kandidat. Supozoj se këtu bëhet fjalë për një strategji partiake, duke shprehur se në këtë mënyrë do të mbledhin më shumë vota të shqiptarëve për kandidatin e tyre” u shpreh analisti politik, Petar Arsovski.
Ndërsa profesori universitar, Mersel Bilalli, poashtu vlerëson se çështje kyçe për shqiptarët është mënyra se si të largohet pushteti i VMRO-DPMNE-së, i cili për tetë vite me radhë ka stagnuar eurointegrimet e vendit.
“Unë mendoj se çështje kyçe që shtrohet para nesh, është si ta tejkalojmë këtë regjim i cili ka elemente serioze të diktaturës, terrorit, me çka pasojë e kemi stagnimin ekonomik, shpërnguljen e rinisë. Këtu shqiptarët definitivisht janë në pozitë të vendosin, e rrëzojnë këtë regjim ose do të pajtohen edhe me tutje të vazhdojnë me këtë regjim”, tha analisti politik, Mersel Bilalli.
Bilalli poashtu ka theksuar se jokonzistenca në komunikim me faktorin e jashtëm, është jashtëzakonisht devalvuese për subjektet politike shqiptare dhe tregon joseriozitetin dhe jokonzistencën e tyre lidhur me çështjet kruciale. (Mefail Ismanili, TVM2)
