Akuza BD-PDSH për korrupsion
19.03.2014 18:05
Partia Demokratike Shqiptare edhe sot vazhdoi me akuzat ndaj funksionarëve të lartë të BDI-së. Orhan Ibrahimi akuzoi ministrin e Ekonomisë, Valon Saraçinin, për korrupsion në resorin qe ai drejton...

Partia Demokratike Shqiptare edhe sot vazhdoi me akuzat ndaj funksionarëve të lartë të BDI-së. Orhan Ibrahimi akuzoi ministrin e Ekonomisë, Valon Saraçinin, për korrupsion në resorin qe ai drejton.
“Në dorë kam dokumentet që dëshmojnë nivelin eklatant të korrupsionit në resorin e Ekonomisë, që udhëhiqet nga kuadri i BDI-së, Valon Saraçini. Kjo dosje fakton se si një sipërmarrësi i kërkohen shuma të mëdha parash, nëse dëshiron që kompania e tij të fitojë një nga koncesionet e shumta që ndahen nga ministria e Ekonomisë”, tha Orhan Ibrahimi nga PDSH.
Ndërsa në reagimin e BDI-së, thuhet se devijuan plotësisht nga qëllimet kombëtare dhe në pamundësi të ruaj kompaktësinë e vet, PDSH-ja po përpiqet me shpifje dhe ofendime të arrijë ndonjë pikë në politikë. Në kumtesën e kësaj partie, shkruan se në vend të merret me sharje, PDSH-ja duhet të japë sqarime a është përfshirë kandidati i tyre për president, Iljaz Halimi, në aferën “ Interpromet”.
“Gjuha plot urrejtje e këtij subjekti, vlerësojmë të jetë në shërbim të përçarjes shqiptare dhe ka detyrën e vetme, të mbulojë me akuza banale argatllëkun e saj të paskrupullt, që veç krerët e saj e dinë se si u shpërblehet”.
“Në vend se të lëshojë akuza qesharake, PDSH duhet të japë përgjigjen serioze që e pret çdo shqiptar sot, nëse kandidimi i Iljaz Halimit për president, ka lidhje me aferën e zbuluar nga mediat për ndërmarrjen “Interpromet”. BDI është përcaktuar tashmë të injorojë çdo pretendim të pabazë ngritur nga PDSH, për aq kohë sa ajo nuk sqaron përfshirjen e saj në rastin me “Interpromet”.
“Vetëm 5 vitet e fundit, janë dhënë mbi 250 koncesione edhe atë shumica në komunat shqiptare (Likovë, Saraj, Tetovë, Tearcë, Gostivar, Kërçovë, Strugë). U ndryshua edhe Ligji për Miniera, ku 78% nga investimet paguhet në buxhet komunal, me çka në mënyrë direkte përfiton komuna. Të hyrat në buxhet, vetëm në 5 vitet e fundit nga koncesionet, janë 1.100.000.000 denarë (1 miliard e 100 milion denarë), prej të cilave 858 milion janë paguar në buxhetin e komunave”. Kështu thuhet në reagimet e BDI-së.
Akuzave të fundit të PDSH-së, dy ditë më parë iu përgjigj edhe ministri i Mbrojtjes, Talat Xhaferi, me ç’rast ngriti padi penale për shpifje dhe ofendime ndaj Bekim Fazliut dhe PDSH-së. (Rexhep Qamili, TVM2)
