Botë

Vritet një komandant i lartë i Hezbollahut

13.05.2016 10:13

Një komandant i lartë i Hezbollahut është vrarë në një operacion të Izraelit në Siri...

Organizata militante shiite, me seli në Liban, nuk ka dhënë detaje, por televizioni libanez, al-Mayadeen, ka thënë se Mustafa Amine Badreddine ka vdekur nga një sulm ajror i Izraelit pranë aeroportit në Damask.
 
Badreddine, së bashku me tre pjesëtarë të tjerë të Hezbollahut, është akuzuar për vrasjen e ish-kryeministrit libanez, Rafik Hariri, në vitin 2005, në Bejrut.
 
Duke njoftuar për vdekjen e Badreddines, Hezbollahu ka thënë se “ai ka marrë pjesë në shumicën e operacioneve të rezistencës islamike qysh në vitin 1982”.
 
Badreddine ka qenë në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara.
 
Hezbollahu është një organizatë politike, ushtarake dhe sociale shiite, e cila ka pushtet të konsiderueshëm në Liban.
 
Ajo është shfaqur me ndihmën e Iranit, gjatë pushtimit të Libanit nga Izraeli, në fillim të viteve 1980./evropaelire