Maqedoni
Hajndëll takon liderët politik, Ahmeti: i kemi dhënë qëndrimet tona për dalje nga kriza
13.05.2016 13:01
I dërguari special i Gjermanisë për Maqedoninë, Johanes Hajndëll, i cili qëndron për vizitë dyditëshe në vend...

I dërguari special i Gjermanisë për Maqedoninë, Johanes Hajndëll, i cili qëndron për vizitë dyditëshe në vend, ka realizuar takime me përfaqësuesit e partive politike nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës.
Kreu i BDi-së, Ali Ahmerti, pas takimit me diplomatin gjerman ka kërkuar që të rikthehet Parlamenti dhe falënderon diplomacinë ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.
“Takim shumë i rëndësishëm. Diskutuam për zgjedhjet, Marrëveshjen e Përzhinës dhe proceset euroatlantike.”- ka deklaruar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili ka shtuar se BDI i ka dhënë qëndrimet e veta për zgjidhjen e krizës.
“Ne i kemi dhënë qëndrimet tona për zgjidhjen e krizës, si të kthehet Kuvendi. Ia bëmë me dije se ne kemi marrë masa që Parlamenti të vendoset në funksion. Dhe, pasi të rikthehet Parlamenti, hapen shumë çështje për zgjedhje. Kemi konsultuar ekspertë se si t’a arrijmë rikthimin e Kuvendit. Do t’i kërkojmë të gjitha rrugët.”- ka deklaruar lideri i BDI-ë, Ali Ahmeti.
Diplomati gjerman, Hajndëll, është takuar edhe me liderin e opozitës shqiptare, Menduh Thaçin dhe me liderin e LSDM-së, Zoran Zaev.
Johanes Hajndëll arriti në Shkup ditën e djeshme, me ç’rast realizoi takim me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Popovskin, me ambasadorët e BE-së dhe SHBA-ve edhe me liderin e VMRO-së, Nikolla Gruevski.
