Maqedoni
Kapen 11 kilogram marihuanë në Hasanbeg
19.03.2014 18:11
Në lagjen Hasanbeg të Shkupit, në orët e vona të mbrëmjes, ministria e Punëve të Brendshme ka zhvilluar një aksion policor...

Në lagjen Hasanbeg të Shkupit, në orët e vona të mbrëmjes, ministria e Punëve të Brendshme ka zhvilluar një aksion policor, me ç’rast janë gjetur 11 kilogram marihuanë dhe është arrestuar një 24 vjeçar.
Sipas informatave të MPB-së, personi në fjalë, gjatë vitit të kaluar, në më shumë raste nga Shqipëria, ka siguruar sasi më të mëdha të drogës marihuana dhe të njëjtën në mënyra të ndryshme ua ka shitur personave të varur nga substancat narkotike dhe dilerëve të vegjël. Shitjen e lëndës narkotike, i arrestuari e ka realizuar në shtëpinë dhe automobilin e tij. Sipas zëdhënësit të MPB-së, Ivo Kotevski, personi në fjalë edhe më herët është i njohur për policinë dhe kundër tij në vitin 2009 është ngritur padi penale.
“Gjatë bastisjes, në shtëpinë e tij janë gjetur dhe konfiskuar rreth 11 kilogram marihuanë dhe 12 shishe me më shumë se 1 litër vaj të hashashit, të cilën e ka fituar me përpunimin e marihuanës. Droga e konfiskuar është dorëzuar në ekspertizë të mëtutjeshme, në repartin për teknikë kriminalistike në MPB. Sipas informatave të para, bëhet fjalë për marihuanë të cilësisë së lartë, e cila arrin çmim të lartë në tregun narkotik në vend. Gjatë bastisjes janë gjetur edhe 2 peshore dhe 1 enë për destilim”, deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.
Kotevski gjithashtu informoi se mbrëmë është ekstraduar në Maqedoni Boris Perkov, 52 vjeçari nga Velesi, i cili është i dyshuar në aferën ‘Spiuni”. Ekstradimi është bërë me fluturimin e fundit nga Vjena, ndërsa i dyshuari nga aeroporti “Aleksandri i Madh”, është dërguar në burgun hetues në Shkup.
Perkov në shtator të vitit të kaluar, u arrestua në Çeki, pasi ndaj tij ishte lëshuar fletë-arresti ndërkombëtar nga Gjykata Themelore 1 në Shkupi. Ai, sipas policisë, është në grupin i cili akuzohet se ka bërë shoqërim kriminel, spiunazh, dhënie të sekreteve shtetërore dhe të dhënave të klasifikuara, shërbimeve të huaja sekrete. (Florije Kamberi, TVM2)
