Erdogan rrit presionin, kërcënon anulim të marrëveshjes me BE-në
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tahip Erdogan, ka rritur presionin mbi Bashkimin Evropian dhe marrëveshjen historike...

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tahip Erdogan, ka rritur presionin mbi Bashkimin Evropian dhe marrëveshjen historike të nënshkruar mes tyre për zgjidhjen e krizës së klandestinëve, duke akuzuar bllokun se po nxjerr pengesa të reja për udhëtimin pa viza të qytetarëve turq.
Erdogan tha se Ankaraja do të vijojë rrugën e saj, nëse palët nuk bien dakord.
Deklarata e tij vjen menjëherë pasi presidenti i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, tha se marrëveshja për liberalizimin e vizave me Turqinë nuk do të zbatohet në rast se Qeveria e Ankarasë nuk do të përmbushë me sukses të gjitha kriteret e paracaktuara.
Junker theksoi në veçanti ndryshimin e ligjit për terrorizmin në përputhje me legjislacionin e shteteve evropiane. BE dhe grupet e të drejtave kanë akuzuar Turqinë se po përdor ligjet e saj anti-terrorizmit për të shtypur disidentët.
Nga ana tjetër Ankaraja thotë se ligjet i duhen për të luftuar militantët kurdë brenda vendit dhe “Shtetit Islamik” në Irak dhe në Sirinë fqinje.
Gjatë një fjalimi, Erdogan tha se të kërkosh një gjë të tillë është njëlloj si të na kërkosh të heqim dorë nga lufta kundër terrorizmit.
Ai shtoi se Turqia dhe Bashkimi Evropian kishin vendosur për udhëtimin pa viza për shtetasit turq para se blloku të kërkonte plotësimin e 72 kritereve.
Presidenti i Turqisë tha se do të preferonte të ndërtonte një Turqi të re me Bashkimin Evropian, por nëse marrëveshja dështon, vendi do të ecë përpara i vetëm.
